Zgjedhjet në SHBA, orët vendimtare

06/11/2012 20:30

Votuesit në mbarë Shtetet e Bashkuara po vijojnë t’i drejtohen qendrave të votimit për të vendosur nëse do të rizgjedhin Barack Obamën apo një president të ri amerikan për katër vitet e ardhshme, sfiduesin republikan Mitt Romney.

Në një lidhje direkte me “Zërin e Amerikës”, gazetarja Rudina Dervishi raportoi për zhvillimet e fundit në kohë reale. “Është ora dy pasdite në Uashington dhe në qendra votimi vazhdon. Në Uashington votimi do të mbyllet pas gati pesë orësh, ndërsa në Kaliforni pas gati tetë orësh. Zgjedhjet po i afrohen finishit, por rezultati mbetet i pasigurt”, nisi raportimin e saj gazetarja e “VOA”-s.

“Votimi duket se ka pasur disa probleme në Nju Jork dhe Nju Xhersi nga uragani “Sandy”. Zyrtarët kanë marrë masa për të ndihmuar banorët, duke i lejuar që të votojnë me fakse, emaile apo në qendra të tjera. Emaili lejohet vetëm për banorët e këtyre zonave të shkatërruara. Nga ana e tyre, sondazhet tregojnë një garë shumë të ngushtë dhe do të jenë votuesit e 6-10 shteteve të pavendosura që do të përcaktojnë fatin e të gjithë SHBA-së, pas fushatës më të kushtueshme në histori, që konsumoi rreth tre miliardë dollarë.  Obama ndodhet aktualisht në Çigako, me stafin e tij të fushatës, duke i bërë telefonata votuesve të thjeshtë, ndërsa Romney zhvilloi një fushatë të fundit në Ohajo dhe Pensilvani. Deri më tani, kanë votuar 31 milionë amerikanë dhe duket se Romney mund të ketë një avantazh të lehtë. Nga ana tjetër, asnjë president republikan nuk është zgjedhur pa fituar Ohajon dhe deri tani, asnjë sondazh nuk e tregon Ohajon të fituar nga Romney”.

Duke qëndruar pikërisht tek “exit-polls”, siç njihen ndryshe sondazhet paszgjedhore dhe momentin kur mund të kuptohet tendenca e zgjedhjeve apo fituesi i tyre, Dervishi shtoi: “Pothuajse të gjithë amerikanët që duan të shohin rezultatin janë përgatitur për një natë të gjatë sot. Fituesi nuk do të mësohet deri në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, ndërsa “exit-polls” që zhvillohen nga mediat e mëdha nuk janë faktor i vetëm që merret në konsideratë, pasi edhe ato janë anketa dhe jo gjithmonë janë të sakta. Që prej vitit 2000, kur “exit-polls” parashikuan gabim rezultatin në garën midis Bushit dhe Al Gorit në Florida, edhe mediat tregohen shumë më të kujdesshme. Përsa i përket rezultatit, rezultatet e para priten në mesnatë dhe presidenti i ri mund të shpallet në orët e para të mëngjesit, gjithmonë nëse nuk do të ketë beteja ligjore që do të shtyjnë publikimin e rezultateve”.

Top Channel