Mamurras, kronika e vrasjeve të paralajmëruara

06/11/2012 18:00

4 Qershori i këtij viti do të shënonte fillimin e një hasmërie që vështirë t’i gjendet fundi. Në Mamurrasin e vogël, përfaqësues të familjeve Shkreta dhe Llani, u konfliktuan për “shkaqe të dobëta, siç quhen nga policia.

Mbase motivet kanë qenë banale, por deri në momentin që po flasim bilanci i asaj përplasjeje është 3 të vdekur, 2 të plagosur dhe 1 shtëpi e hedhur në erë.

Më 5 qershor, në një atentat, do të fillonte vazhda e gjakut. Indrit Llani (9 vjeç) po kthehej nga shkolla. Në timonin e makinës që po e çonte në shtëpi ishte xhaxhai i tij. Fëmija ishte ulur në prehrin e të ëmës. Altin dhe Alban Shkreta kishin si objektiv Muharrem Llanin. Dy autorët janë nën pranga, por ky veprim nuk i ka qetësuar palët.

Dy ditë pasi kishin kaluar të dyzetat e fëmijës, gjaku merret në Tiranë. Mark Shkreta, babai i autorëve vritet në rrugën “Hoxha Tahsin” me armë zjarri. Jetmir Llani nuk pranon autorësinë edhe pse dyshimet e policisë bien mbi të.

Vera do të vazhdonte të ishte e nxehtë në Mamurras, ndërsa një automjet i parkuar para shtëpisë së fisit Shkreta shpërthen gjatë natës duke shembur godinën, por pa viktima në njerëz. Më 1 gusht, tritoli do të shkatërronte shtëpinë në ndërtim e sipër në Shpërdhet të Mamurrasit.

Më 4 nëntor, bilanci do të merrte përmasat aktuale. Dy persona u kanë zënë pritë Aurel dhe Gentian Shkretës. 20-vjeçari u plagos në këmbë nga plumbat e kallashnikovit, ndërsa Gentiani 33-vjeçar pati një fat makabër. Vëllai i vogël i ka thënë policisë se kishte identifikuar në pritë babanë e djalit 9-vjeçar të vrarë, Jetmir Llani, dhe vëllain e tij, Muharrem Llanin.

Jetmir Llani është arrestuar për disa vepra penale dhe në mes të korrikut edhe për dyshime që e lidhnin me vrasjen e Mark Shkretës, por më pas është lënë i lirë nga policia.

Një ngjarje që të paparashikuar ka vetëm datën e atentateve. Mamurrasi duket sikur është ngujuar i tëri, rrugët janë boshatisur dhe tensioni ndihet në ajër. Zyrtarët lokalë të policisë apo të pushtetit vendor nuk prononcohen. Indrit Llani, 9 vjeç, ka humbur jetën. Mark dhe Gentian Shkreta, 71 dhe 33 vjeç, janë vrarë. Gjakrat janë të nxehtë si ditën e parë, por çfarë do të bëhet për të parandaluar viktimën e radhës?

Top Channel