PD: Bejko ndërroi jetë për votat e Ramës

03/11/2012 13:40

Pothuajse 24 orë pas ndarjes nga jeta të ish-të përndjekurit politik, Lirak Bejko, erdhi edhe reagimi i parë zyrtar i Partisë Demokratike, që përsëriti qëndrimin e mbajtur gjatë grevës së urisë, duke fajësuar socialistët për “dramën me shumë akte” dhe “shfrytëzimin e ish-të përndjekurve” për qëllime elektorale.

Një deklaratë për shtyp e publikuar në mesditën e së shtunës, niste me “ngushëllimet e sinqerta ndaj familjes, për këtë humbje të rëndë”, ndërsa u nënvizua “interesi personal i kryeministrit Berisha për kthimin sa më të shpejtë të trupit të pajetë në atdhe”.

Në vazhdim të deklaratës, lexohej: “Së bashku me keqardhjen për këtë humbje, dënojmë organizimin dhe përdorimin politik të ish-të përndjekurve. I themi Edi Ramës se jeta e Lirak Bejkos ishte një dramë me disa akte. Drama e jetës së Bejkos u finalizua nga Rama me organizimin e grevës së paguar. PS shfrytëzoi gjendjen psikologjike të Bejkos për qëllime politike”.

Sipas maxhorancës, “socialistët besonin se flakët që do të digjnin trupin e Bejkos do të shndërroheshin në vota”.

Gjatë ditës, Partia Socialiste, nëpërmjet udhëheqëses së grupit të saj të punës, Keti Bazhdari, reagoi sërisht për këtë çështje, duke e konsideruar “Bejkon si viktimën e 31 të kësaj qeverie, pas 26 të vrarëve në Gërdec dhe katër të tjerëve në protestat e 21 janarit”.

Bazhdari citoi dy fjalë të nënës së të ndjerit, e cila gjatë marrjes së ngushëllimeve, pati thënë: “Sikur kjo qeveri, ky kryeministër t’i kishin thënë dy fjalë, le ta kishin gënjyer, por vetëm të kishin biseduar dhe t’i jepnin fund asaj greve, tani Liraku do të ishte gjallë”.

Në lidhje me ndarjen nga jeta të 49-vjeçarit, i cili vuajti shtatë vjet burgim në kohë të komunizmit, gjatë ditës komentoi edhe ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili që nga Berati, në një prezantim të strukturave të FRD-së, akuzoi të dy partitë më të mëdha në vend si përgjegjëse për atë që ndodhi gjatë grevës së ish-të përndjekurve.

Senca e FRD-së në Berat nisi me një minutë heshtje, për nder të Lirak Bejkos, i cili humbi jetën ditën e premte, pas tre javësh trajtim për djegiet e shkaktuara nga vetflijimi që bëri gjatë grevës së urisë.

Top Channel