AK: Dega jonë në Athinë do themelohet

03/11/2012 21:25

Aleanca Kuqezi ka paralajmëruar pasditen e së shtunës se nuk ka ndërmend të anulojë aktivitetin e saj për themelimin e degës së AK në Athinë.

Përmes një komunikimi për shtyp, Aleanca ka deklaruar se nuk trembet nga paralajmërimet e policisë greke, se nuk mund të mbajë përgjegjësi për atë që mund të ndodhë gjatë evenimentit.

“Nuk tërhiqemi, aktiviteti i themelimit të AK në Athinë do të mbahet. Policia greke deklaroi se nuk mban përgjegjësi për incidentet apo jetën e pjesëmarrësve, por kjo nuk na tremb”, thuhet në njoftimin e AK.

Grupimi i drejtuar nga Kreshnik Spahiu ka akuzuar partinë neonaziste Agimi i Artë, anëtarët e të cilës sipas saj kanë shkuar në çdo shtëpi të emigrantëve shqiptarë në Athinë për të lobuar kundër Kuqezinjve.

Muajin e kaluar aktivistët e Aleancës Kuqezi bllokuan kalimin në Urën e Dragotit në Tepelenë, për të penguar kalimin atje të përfaqësuesve të partisë së ekstremit të djathtë grek, Agimet e Arta.

Ishte lajmëruar se në ceremonitë që do zhvilloheshin në Këlcyrë të Përmetit do merrnin pjesë edhe aktivistët ekstremistë grekë për të përkujtuar ushtarët grekë të rënë në luftën italo-greke.

Disa dhjetëra mbështetës të Aleancës Kuqezi u grumbulluan për disa orë në Urën e Dragotit për të protestuar ndaj “marshimit të fashistëve grekë”, siç i etiketuan ata përfaqesuesit e ekstremit të djathtë.

Një ditë më vonë, përkrahës të PDIU-së, AK-së, Vetëvendosjes dhe Grupimit të Patriotëve të Rinj u tubuan në Këlcyrë paralelisht mbajtjes së homazheve në varret e ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke.

Ambasadori grek në Tiranë, drejtues të PBDNJ-së, përfaqësues të qeverisë greke dhe 4 autobusë me persona të mbërritur nga Greqia kaluan urën e Dragotit për të vizituar manastirin e Këlcyrës ku gjenden rreth 70 varre të zbrazur në pritje për rivarrosjen e ushtarëve grekë.

Protestuesit goditën me gurë dhe vezë automjetet e përfaqësuesve të ambasadës dhe 4 autobusët e mbërritur nga Greqia në urën e Dragotit.

Kreu i PBDNJ-së etiketoi si “të paguar” personat që protestuan, ndërsa përfaqësues të protestuesve reaguan menjëherë ndaj deklaratave duke i hedhur poshtë ato.

Top Channel