Topi kërkon ndjesë për Berishën   

02/11/2012 00:00

Teksa ka prezantuar drejtuesit e departamenteve, siç i ka cilësuar Fryma
e Re Demokratike strukturat e saj, kryetari Bamir Topi ka bërë një
sqarim të gjatë të largimit të tij nga Partia Demokratike.

Ish presidenti Bamir Topi kërkon ndjesë publike për kryeministrin Sali Berisha.

Pavarësisht se bëri sa mundi, siç ai u shpreh, për të ruajtur pavarësinë e institucioneve kushtetuese, në detyrën si kryetari i shtetit, Bamir Topi nuk shmang përgjegjësinë edhe si ish funksionar i lartë në PD, për atë që cilësoi si uzurpimin e sotëm, siç u shpreh, në një dorë të të gjitha pushteteve.

“Kjo krenari dhe e vërtetë e madhe nuk na pengon që sot, ne t’u kërkojmë qytetarëve ndjesë publike, që nuk arritëm të bëjmë më shumë në ato vite, për parandalimin e së keqes që ka marrë peng politikën, institucionet, ekonominë dhe jetën publike, siç jemi të ndërgjegjshëm se kjo na bën dyfish të angazhuar”, u shpreh Topi.

Kreu i FRD-së u distancua nga skandalet dhe korrupsioni, që paraqet modeli i sotëm i qeverisjes, deri te vrasja e qytetarëve të pafajshëm.

“Ne jemi krenarë se, në asnjë rast nuk kemi qenë dhe nuk jemi pjesë e zhvillimeve më negative të tranzicionit, pazareve politike personale, zhvatjes së pronave publike, vrasjen e qytetarëve të pafajshëm, uljen e imazhit ndërkombëtar të vendit apo njësimin e pushtetit partiak me shtetin”.

Teksa ka prezantuar drejtuesit e departamenteve, siç i ka cilësuar Fryma e Re Demokratike strukturat e saj, Bamir Topi ka bërë një sqarim të gjatë të largimit të tij nga Partia Demokratike. Sipas tij, forca politike që sot drejtohet nga kryeministri Sali Berisha është shndërruar në një kompani ekonomike klanore, e vënë e gjitha në funksion të kryetarit të saj dhe larg parimeve, mbi të cilat PD u themelua.
 
“Ne praktikisht vendosëm të ndahemi prej saj, jo sot, jo dje, por që ditën kur kjo parti pushoi së ekzistuari si forcë politike demokratike, sapo ajo përfundimisht mbylli shtegun e reformimit dhe garës së brendshme, ndryshoi parimet e programin themelues dhe vendosi të shndërrohej në një kompani politiko-ekonomike në shërbim të kryetarit dhe klanit të tij politik”.

FRD prezantoi sot drejtuesit e departamenteve, ku spikatën personazhe të njohur publik, e ish funksionarë në qererisjen e Partisë Demokratike, ndër të cilët edhe ish ambasadori i Shqipërisë në SHBA dhe ish zëvendësministri i Shëndetësisë, Aleksandër Sallabanda.

Topi tha se, janë të shumtë edhe mbështetësit e tjerë të kësaj partie, në administratën e sotme, por që nuk ekspozohen publikisht për shkak të asaj që e cilësoi “klima komuniste” në të.

Top Channel