Partia Socialiste i kërkon sqarime qeverisë perse ka vepruar në favor të kompanisë shpërndarese “CEZ” në kurriz të konsumatorëve shqiptarë.

”Përmes vendimeve të Entit Rregullator të Energjisë, KESH-i është detyruar të ulë çmimin e energjise elektrike për shitje tek CEZ-i, në mënyrë që ky i fundit të kompesoje humbjet në rrjet në shifren historike 45% të energjisë”, tha deputeti Ahmetaj, duke treguar këtë grafik.

Në vitin 2010, çmimi që KESH i ka shitur “CEZ”-it është 2.03 leke për KË, është ulur ne 2011 ne 1.48 lekë dhe ka detyrimin të ulet sërish deri në 2014-n në  1.012 lekë.

”Kjo do të thotë që KESH është i detyruar të vazhdojë të humbasë para për shkak të uljes së detyruar të çmimit që Enti Rregullator i bëri duke favorizuar CEZ-n. Çmimi  është sa një e dhjeta, KESH-i faturon CEZ sa një e dhjeta që CEZ-i faturon konsumatorin familjar dhe si rrjedhojë CEZ-i përfiton çdo vit nga ky ndryshim 30 milionë dollarë nga KESH-i. Cilat janë arsyet që e gjithë barra ngarkohet mbi konsumatorin shqiptar, kjo duhet të shpjegohet nga qeveria”, akuzoi socialisti Arben Ahmetaj.

“Favorizimi që qeveria i ka bërë kompanise CEZ me pozicion monopolist në treg, paguhet sot nga qytetarët shqiptare”, tha socialisti Ahmetaj, sipas të cilit “fatura e energjise elektrike për konsumatoret dhe bisneset është 200% më e lartë se në 2005-n”. Por, më e rrezikshmja, paralajmeroi, ai është mosgarantimi i sistemit energjitik.

”Sistemi elektroenergjitik është në kolaps, është në falimentim, është një piramidë e ere që kërcënon seriozisht shëndetshmërinë financiare dhe ekonomike të buxhetit të shtetit dhe familjeve shqiptare”, vlerësoi Ahmetaj.

Selia rozë do të vijojë në ditët e ardhshme me të tjera denoncime sesi është abuzuar dhe keqmenanaxhuar sipas Arben Ahmetaj sistemi energjitik shqiptar nga qeveria.

Top Channel