Abonetë, bashkia heq kartonin e shoqatës

02/11/2012 00:00

Në ditët e para të muajit, pas daljes në treg të aboneve të linjave urbane në kryeqytet, shumë qytetarë janë përplasur me fatorinot për shkak se aboneve të muajit nëntor u mungon kartoni i lëshuar nga Shoqata e Transportit Qytetas.

Nisur nga ky fakt, Drejtoresha e Transportit Urban në Bashkinë e Tiranës, Nereida Hoxha deklaroi se do të penalizohen të gjithë ata operatorë që nuk do të njohin abonetë pa karton.

Por shqetësimi i operatorëe urbanë qëndron në rrezikun e abuzimit me abonetë. Sipas burimeve zyrtare pranë Shoqatës së Transportit Qytetas, kartoni është i domosdoshëm, pasi ka elemente më të larta sigurie.

Por drejtoresha e bashkisë ka deklaruar se aboneja ka elementet e sigurisë ndërsa vetë operatorët të shtojnë masat për të mos lejuar që të ketë spekulime.

Shoqata e Transportit Qytetas pritet të zhvillojë një takim me të gjithë operatorët urbanë të kryeqytetit për të dalë më pas me një qëndrim zyrtar në lidhje me vendimin më të fundit të bashkisë për abonetë.

Top Channel