Meta: Të bashkohemi për festën; reagon Rama

31/10/2012 00:00

Pas replikave në distancë mes Kryeministrit dhe opozitës për festimet e
100-vjetorit të Pavarësisë, kryetari i LSI-së Ilir Meta deklaron se
duhet dialog.

Nga Komiteti Drejtues i forcës se tij politike, Meta foli parimisht per nje feste te bashkuar mes forcave politike, por preferoi t’i qendroje jashte thelbit te mosmarreveshjeve per protokollin e kesaj dite, nese duhet te zhvendoset ne Tirane siç kryeministri deklaroi apo te mos anashkalohet Vlora nga ceremonite dhe fondet per kete dite, sic thote opozita.

“Duhet dialog për festimet pasi në Tiranë do të vijnë personalitete të shumta dhe kjo kërkon një bashkërendim dhe një ndërgjegjësim të momentit që na teston dhe e rrit më tej rolin e Shqipërisë apo e dëmton atë në të ardhmen”, tha Meta.

Meta tha se beson ne pjekurine e forcave politike, ne gjetjen e gjuhes se perbashket per nje protokoll te vetem te festes se Pavaresise, çeshtje kjo qe eshte shnderruar ditet e fundit ne mosmarreveshjen e re mes paleve.

Rama: Pavarësia festohet në Vlorë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama reagoi përmes rrjetit social Twitter ku deklaroi se opozita nuk ka asnjë mosmarrëveshje për festën e Pavarësisë, ndaj nuk ka me kë të merret vesh.

“Pavarësia është shpallur në Vlorë në 28 nëntor dhe pikë! Në 28 nëntor ne do jemi në Vlorë dhe do festojmë me këdo qe do jetë atje! Të tjerat janë dokrra, hini, siç i quante At Gjergj Fishta”, thotë Rama.

Sipas liderit të opozitës, 100 vjetët e pavarësisë duhet t’i festonte edhe çdo qytet shqiptar, jo vetëm Tirana, po kurrë për të eklipsuar Vlorën apo cënuar festën atje.

“Çfarë turpi: Përfytyroni një qeveri europiane që shpall si projekt therrjen e 1.000 deleve e të 1.000 deshëve për festën e Pavarësisë!”, përfundon Rama komentin e tij.

Berisha: Nuk ka rivalitet mes Tiranës dhe Vlorës

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ritheksoi se festimet për 100-vjetorin e pavarësisë nuk duhet të sjellin asnjë rivalitet midis Tiranës dhe Vlorës, ndërsa ripërsëriti propozimin e tij për të thelluar rishikimin e historisë.

“Nuk po krijohet asnjë rivalitet midis kryeqytetit dhe qytetit të pavarësisë, por Tirana si kryeqytet i të gjithë shqiptarëve, është e natyrshme që të jetë në qendër të të gjithë festimeve. Në kryeqytet, në ditën e pavarësisë do të jenë të pranishëm edhe shumë diplomatë dhe personalitete të huaj, prandaj është e natyrshme që Tirana të jetë qendra e festimeve”, deklaroi Berisha, i cili u thellua në këtë temë duke shtuar: “Të gjithë ata që duan të përdorin këtë argument për qëllime elektorale, i kujtoj se Vlora ka marrë dy herë më shumë fonde se Bashkia e Tiranës gjatë kësaj qeverisje”.

Gjika: Nishani të marrë drejtimin e festës

I ftuar në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryebashkiaku Vlorës Shpëtim Gjika paraqiti një katalog me shqetësime që lidhen me mundësitë e kufizuara që po përballet bashkia e këtij qyteti, në organizimin e kremtimeve të 100-vjetorit.

“Ka vetëm një 28 Nëntor që i përket Vlorës dhe se Sali Berisha është duke futur duart për ta errësuar rolin e këtij qyteti, duke alokuar vetëm 39 milionë lekë nga fondi prej 5 milionë euro në dispozicionin të organizimeve për 100 vjetorin”, deklaroi Gjika.

“Nuk do të realizohet misioni dhe dëshira e tij që të mos të mbyllen investimet publiket, do të realizohen dhe do të jenë gati brenda datës 10-15 nëntor. Kush të vijë në datë 27 nga Qeveria le të marrë bukë me vete, dreka zyrtare do të jetë në një datë 28 Nëntor dhe të gjitha ceremonitë do të bëhen më datë 28 Nëntor.Nuk mund të marrë përsipër Kryeministri i Shqipërisë të flasë për Protokollin e Shtetit, kur figura e parë në festat jubilare është Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe Kryeministri është i ftuar, e fton Presidenti. I bëj thirrje edhe Presidentit të Republikës, nëse ka veshë të dëgjojë, të dalë në lartësinë e detyrës që i është ngarkuar edhe t’i dalë zot festës, t’i dalë zot Shqipërisë dhe të vendosë dhe të trashë zërin ashtu siç i takon për të mirën e Shqipërisë”, tha Gjika.

Top Channel