Në vijim të denoncimeve të krizës në sistemin e energjitik shqiptar deputeti socialist Arben Ahmetaj i bëri një analizë të detajuar asaj që opozita e quan “piramidë e re elektroenergjetike e ngjashme me ato të vitit ‘96- ‘97”. Sipas tij fillesa është në 2008-ën me privatizimin e OSSH.

“Po ju tregoj kontratën e privatizimit të OSSH-së, të protokolluar në Kuvendin e Shqipërisë, një dokument zyrtar i nxjerrë nga arkivat e Kuvendit, në të cilën ka mangësi dokumentacioni, i mungojnë një seri aneksesh të rëndësishme të cilat kanë të bëjnë edhe me detyrime specifike ndërmjet palëve pra të Republikës së Shqipërisë. Kjo kontratë ka anekse të rëndësishme bosh! Imagjinoni, në Kuvendin e Shqipërisë është dorëzuar një kontratë me anekse bosh, ku këtu duhet të përfshiheshin një sërë detyrimesh kontraktuale të rëndësishme që privatizuesi duhet të kishte, tha Ahmetaj.

Ky privatizim, tha deputeti PS-së, nuk ishte asgjë më shumë se sa transferimi i një monopoli nga njëra dorë në tjetrën, pra  nga dora e kompanisë se shtetit tek kompania private CEZ.

“Përvec se kjo pasuri kombëtare u shit 102 milionë euro, me 800 mijë abonentë, qeveria shqiptare ka bërë dhe një hap përpara dhe i ka ofruar me paratë e tatimpaguesve shqiptarë një garanci prej 60 milionë eurosh, ku qeveria shqiptare merr përsipër në kurriz të tatimpaguesve në raste të përcaktuara ti paguajë CEZ-it 60 milionë euro në formën e një dëmi të paralajmëruar në këtë kontratë. Dua të tregoj këtë marëveshje garancie e cila iu rëndon përsëri tatimpaguesve, lexohet qartësisht shuma 60 milonë euro garanci. Sa i takon qeverisë shqiptare kishte interes ti merrte ato 102 milionë euro e ti fuste në xhep për ti ëbrë rrush e kumbulla para një viti elektoral”, akuzoi ai.

Situatën e  humbjeve në rrjet deputeti Ahmetaj i cilësoi si një katastrofë të vërtetë.

“Sot, humbjet në rrjet kanë kaluar nivelin mbi 40 %. Humbje totale janë mbi 40%. Humbjet dhe mungesa e investimit janë të lidhura me faturën tejet të lartë të energjisë që qytetari shqiptar paguan sot, jo thjesht si rezultat i keqmenaxhimit të një kompanie, por mbi të gjitha si papërgjegjshmëri, keqmenaxhim i një qeverie ndaj një sistemi të tërë të ndërtuar në breza”, përfundoi zoti Ahmetaj.

Top Channel