Ministri i Financave Ridvan Bode dhe deputetët e opozitës janë përplasur në debate të ashpra për trajtimin financiar që prek tre grupe të ndryshme sociale. Pika e parë ishte ajo e pagesave për personat me aftësi të kufizuar.

Arben Malaj, deputeti i PS: Përfitimet e tyre janë të cënuara rëndë në fushën e energjisë. Sipas argumentave që këta kanë dhënë përfitimet kanë zbritur nga 6 deri në 14 herë, është e paqartë akoma skema e subvencionimit të transportit rrugor që duhet të ishte 100 % e paguar për ata dhe shoqëruesit e tyre në transportin urban. Miratimi i akteve nënligjore është i vonuar dhe ata nuk kanë arritur të marrin as ato përfitime të përgjysmuara.

Ridvan Bode, Ministër i Financave: Një i sëmurë tetraplegjik nga e gjithë paketa përfiton 89 mijë e 400 lekë, ndërsa në vitin 2005 ka përfituar në maksimum 45 mijë lekë. Pra kemi një rritje prej 50 përqind si paketë e plotë”.

Një përfaqësues i shoqatës së të verbërve, i pranishëm në seancë por që nuk u lejua të fliste tha se qeveria po bën demagogji.

“Aty u diskutua thjesht fakti u morën disa shembull që vlenin vetëm për 1 përqind e personave që janë të verbër. Nuk u trajtua si duhet problemi që ekziston faktikisht”, deklaroi Luan Bregu, zv.president i Shoqatës së të Verbërve.

Pika e dytë në seancën e thirrur nga opozita ishte kompensimi i ish të përndjekurve politike, që nisi me raportimin e zotit Bode mbi ecurinë e procesit.

Ridvan Bode: Nga 11729 dosje që kanë ardhur, janë 10016 dosje që kanë marrë këstin e parë dhe përbëjnë mbi 85 përqind të të gjithë dosjeve. Janë 1632 dosje që kanë marrë këstin e dytë që bëjnë rreth 16 përqind.

Erjon Braçe, deputeti i PS:  Ju thoni që për këstin e parë janë paguar 10016 dosje që përbëjnë rreth 85 përqind të dosjeve që janë shqyrtuar, thoni ju, por ama i bie 50 përqind i numrit të dosjeve në total për këstin e parë ashtu sic i bie vetëm 7 përqind e të gjithë dosjeve në total për këstin e dytë. Kjo faturë, 46.6 miliard lekë të reja që do të shtohen për sa vite do të paguhet, sepse është kollaj të thuhet 8 këste, por kanë kaluar 4 vite dhe është shpërndarë vetëm 1 këst. Kjo i detyron njerëzit të shkojnë drejt akteve ekstreme.

Ridvan Bode: Ata dëshirojnë që ta marrin në një periudhë sa më të shkurtër dhe ne dëshirojmë që ta japim sa më shpejt, por mundësitë tona janë këto që ne kemi demostruar dhe të japësh gati gjysmën e dëmshpërblimit për 8 vite, do të thotë që kjo mazhorancë e shlyu detyrimin e vet.

Cështja e fundit por jo më pak e nxehtë ishte ajo e pensioneve për ish ushtarakët. Ngërci nis në vitin 2005, kur në prag të zgjedhjeve kuvendi miratoi me votat e të dy palëve një ligj që rriste pensionet e ushtarakëve. Zoti Bode një nga dy deputetët që votoi kundër tha se ligji minoi gjithë skemën e pensioneve

“Pensioni shkonte nga 7800 lekë që ishte pensioni i trajtimit të ushtarakëve sipas skemës së deritanishme, në 31400 lekë. Shkatërruat skemën e pensioneve, pikërisht nga një protagonizëm elektoral që ndërmorët në maj të vitit 2005”, tha Bode.

Për të korigjuar këtë ngërc, në vitin 2010 qeveria miratoi një vendim që ulte përfitimet për ushtarakët, por me fuqi prapavepruese që nga viti 1999 duke krijuar një ngërç tjetër.
 
“Për shkak të retrospektivës që ka bërë vendimi i qeverisë, në 2010, ka filluar të nxjerrë ish-ushtarakët debitorë. Gjëja e parë që duhej të ishte në të mirë të të gjitha palëve do të ishte shfuqizimi i vendimit dhe ribërja me transparencë”, reagoi deputeti socialist, Arben Ahmetaj.

Vendimi për pensionet e ushtarakëve fillimisht u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, por  pas një rishikimi të tij në tentativën e dytë qeveria thotë se ligji është lënë në fuqi.

Por aktualisht shumë nga ish-ushtarakët janë në procese gjyqësore me qeverinë dhe sipas opozitës kjo është një tjetër kërcënim pasi mund të krijojë kosto shtesë për buxhetin.

Top Channel