Skandali i reklamës shtetërore

29/10/2012 19:45

Denoncimi i deputetit të PS-së Eduard Shalsi për një javë me radhë në mesin e shtatorit të këtij viti për shifra marramendëse të përdorura nga qeveria për reklama, hodhi dritë mbi një mungesë transperence të theksuar nga ana e ministrive shqiptare, si dhe një tentativë serioze për të deformuar thellësisht tregun mediatik.

Një pabarazi fondesh duke anashkaluar në mënyrë flagrante kriterin e audiencës së medias vizive dhe tirazhit të gazetave, solli në vëmendjen e të gjithëve rastin më flagrant të një skandali shtetëror.

Ky skandal u thellua edhe më tej kur u analizuan fakte serioze; shpenzimi pa kriter i parave të qytetarëve, ndërkohë që vetë qeveria trumpetonte shkurtime fondesh në sektorë strategjikë, apo mungesë të fondeve për përballimin e emergjencave civile; ministritë i fshihnin reklamat ndërkohë që kanë detyrim ligjor të bëjnë publike çdo qindarkë të shpenzuar në faqet online të tyre.

E si për të shtuar efektet e këtij skandali, analistët duke u bazuar në akuzat e rënda të opozitës u shprehën se, “Keqpërdorimi i së drejtës së qeverisë për informim publik, duke e shndërruar atë në propagandë politike, është rasti më i rëndë i korrupsionit”.

Sipas opozitës, rreth 17 milionë dollarë ishin paratë që shpenzuan ministritë nga viti 2007 deri në 2012-ën për reklama dhe festime, dhe pjesën më dërrmuese të këtij lumi parash e morën kompani, televizione dhe gazeta pranë qeverisë.

Kërkesa e opozitës për përcaktimin e qartë të nocionit “reklamë publike” dhe “reklamë politike”, gjatë diskutimeve nen për nen të projektligjit për transmetimet audio-vizive, është një ogur më shpresëdhënës se hetimet e prokurorisë shqiptare, për të ndalur njëherë e mirë abuzimet e rënda të qeverisë me reklamën shtetërore.

Top Channel