Dy të vdekur në minierën e Martaneshit

29/10/2012 00:00

Një aksident tragjik, me pasojë dy të vdekur ka ndodhur në një nga galeritë private në Kraste të Komunës së Martaneshit.

Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur Zona e Re, ku nga shpërthimi i një granate kanë gjetur vdekjen dy minatorë. Burime nga policia bëjnë me dije se ngjarja e rëndë ka ndodhur afër mbrëmjes së të hënës.

Pas mbarimit të turnit të parë dy minatorët, Vehbi Stafa, 58 vjeç dhe Ermal Elezi 28, gjatë përgatitjeve për plasjen e granatave, të cilat do të përgatisnin frontet e punës për minatorët e tjerë, nuk kanë mundur të largohen në kohën e duhur kur njëra nga granatat ka shpërthyer para kohe.

Menjëherë të plagosurit janë transportuar për në spitalin e Burrelit për të marrë ndihmën mjekësore, por gjatë rrugës nuk kanë mundur t’u mbijetojnë plagëve të marra. Ata ndërruan jetë para se të mbërrinin në spital.

Po sipas burimeve nga policia, mësohet se në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor i cili ka nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen e rëndë ku gjetën vdekjen dy minatorët.

Një nga pistat ku janë përqëndruar hetimet është cilësia e keqe e fitilit zjarrpërcjellës, por kjo ngelet për t’u zbardhur nga grupi hetimor.

Gjithësesi, kushtet e sigurisë së minatorëve lenë për të dëshiruar në të gjithë zonën e Martaneshit. Vetëm gjatë këtij viti janë shënuar katër viktima dhe asnjë person nuk është vënë para përgjegjësisë për plotësimin e kushteve të sigurisë për këta minatorë.

Gjithashtu, edhe inspektorët e RISHM-it kanë shkuar në galerinë ku ka ndodhur aksidenti për të parë kushtet e sigurisë në punë për minatorët.

Top Channel