Rinia, më shumë rol në politikë

28/10/2012 20:25

“Unë jam FRESSH”, projekti i të rinjve eurosocialistë ka zbritur në Divjakë; në një takim, ku kanë marrë pjesë të rinj nga i gjithë rrethi i Lushnjës.

Manifesti i Fressh është një projekt që kërkon një përfshirje sa më të madhe të të rinjve në politikë, duke i dhënë udhë në këtë mënyrë sipas Sekretarit për Rininë, Erjon Veliaj, një Shqipërie më të mirë e më me shumë mundësi.

“Kjo që bëjmë ne sot dhe që duam të bëjmë në fitoren e 2013-s është diçka që e kemi në dorë vet ne, e keni ju në dorë”, – tha Veliaj, i cili më pas shtoi – “Ne duam që, kur Edi Rama të jetë kryeministër vitin që vjen, të rinjtë të jenë prioritet për të drejtuar shtetin shqiptar”.

“Janë të rinjtë e ardhmja e politikës”, me këto fjalë iu drejtua deputeti Bashkim Fino pjesëmarrësve, duke shprehur edhe sigurinë për fitore në zgjedhjet e 2013-s, në po të njëjtën kohë.

“Po ju jap një këshillë, që ta dini të gjithë. Politika nuk fillon me thinja të bardha, siç më kanë dalë mua. Politika fillon me ju të rinjtë, sepse ju jeni e ardhmja e Shqipërisë. Tani do them edhe diçka tjetër shkurtimisht. Po i them Erjonit dhe gjithë stafit eurosocialist këtu, ne të Divjakës dhe të rrethit të Lushnjës, të jeni të bindur se do ta kemi të padiskutuar fitoren në 2013-n me Edi Ramën kryeministër”, u shpreh Fino.

Për liderin e opozitës, Edi Rama, ky është momenti që të rinjtë të marrin fatet e vendit në dorë, duke i dhënë fund frikës që po u merr, sipas tij, të ardhmen.

“Unë besoj shumë se në betejën e vitit të ardhshëm, ju do të jeni krah për krah me prindërit tuaj, madje jeni ju që duhet t’i inkurajoni ata të mundin frikën, ndrojtjen, dëshpërimin dhe bashkë me ju të dalin në rrugën e një fitoreje, e cila do të jetë fitorja e familjes së zakonshme shqiptare, fitorja e çdo shqiptari në qytet apo fshat, i cili kërkon një vend ku çdo qytetar të jetë i barabartë para ligjit dhe ku për çdo qytetar mundësitë të jenë të barabarta në rrugën e lirisë së konkurrencës e të meritës”, përfundoi kryetari i Partisë Socialiste.

Top Channel