Zejmen, paguajnë faturat, drita s’kanë

27/10/2012 19:55

Me qindra familje në Zejmen kanë mbetur pa energji elektrike edhe pse ata paguajnë çdo faturë. Edhe CEZ e konfirmon zyrtarisht faktin që zona paguan energjinë, por shkak për mungesën e saj është bërë fshati Manati.

Ky fshat nuk paguan energjinë në mënyrë masive dhe CEZ iu shkëputi rrjetin banorëve. Por ata me forcë e kanë rilidhur në zonën e komunës Zejmen, duke djegur edhe transformatorin të cilin e kanë vendosur me shpenzimet e tyre banorët e komunës.

“Ndejtëm 5 javë rresht pa drita dhe pastaj vumë këtë transformator. Na kanë thënë që është djegur. Do t’i bëjmë thirrje shtetit, nëse ka shtet”, ankohet një banor.

CEZ ka shkëputur energjinë në gjithë zonën dhe pranon se në komunën Zejmen energjia paguhet. Këtë e pohojnë edhe vetë banorët.

“Unë i paguaj muaj për muaj dritat. Nga ’97-a, ’98-a, etj. I kam paguar të tëra. 140 mijë lekë i marr pension, 100 mijë i shpenzoj për të marrë ilaçet, të tjerat i paguaj drita. Unë s’kam të ardhura të tjera”, thotë një e moshuar.

Mungesa e energjisë ka përfshirë komunat Zejmen, Kallmet dhe Kolsh, të cilat janë në errësirë nga një deri në 3 javë.

Top Channel