Neonazistët grekë në Këlcyrë

26/10/2012 00:00

Aleanca Kuqezi kërkoi të premten nga qeveria që të mos lejojë futjen në Shqipëri të anëtarëve të partisë neonaziste greke për të shkuar në varrezat e ushtarëve grekë në Këlcyrë.

Përmes një deklarate për shtyp, Aleanca Kuqezi theksoi se nëse nuk e ndalon shteti ardhjen e tyre, këtë gjë do ta bëjnë aktivistët e kësaj partie.

Bëhet fjalë për anëtarët e partisë nacionaliste Agimi i Artë, të cilët kanë njoftuar se kanë ndërmend të vizitojnë varret e ushtarëve helenë në Shqipëri.

Me këtë rast, nuk është çudi që drejtuesit e këtij subjekti politik të bëjnë ndonjë deklaratë nacionaliste për atë që e quajnë Vorio Epiri, apo për minoritetin grek në Shqipëri.

Disa herë Aleanca Kuqezi ka denoncuar prirjet nacionaliste të fraksioneve të caktuara të politikës greke, për të përvetësuar zonat e Shqipërisë dhe për të kërkuar në OKB aneksimin e tyre brenda vijave kufitare helene.

Top Channel