“Top Story”: Mandati i kryeprokurorit

25/10/2012 00:00

Ndërsa të gjithë besimtarët muslimanë festuan ditën e shenjtë të Kurban Bajramit, politika shqiptare është duke u përgatitur që të bëjë “Kurbanin e radhës”.

Muaji nëntor do të sjellë në arenën politike përballjen për zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm. Një çështje që prej muajsh ngjall debat, ajo e zëvendësimit të paralajmëruar nga mazhoranca të Prokurores, Ina Rama, ngjall gjithmonë e më shumë debate në të gjithë spektrin e forcave politike.

Për të diskutuar mbi këtë çështje të nxehtë të aktualitetit, Sokol Balla, në emisionin e tij të përjavshëm politik të së enjtes, “Top Story”, grumbulloi një panel ekspertësh të zgjedhur, për të argumentuar se sa i pavarur është në të vërtetë sistemi i drejtësisë nga politika.

Enkelejd Alibeaj, ish-ministër i Drejtësisë dhe njëkohësisht deputet i Partisë Demokratike, përballi qëndrimin e tij dhe të mazhorancës, me mendimet e socialistit Fatmir Xhafa, njëkohësisht nënkryetar i Komisionit të Ligjeve, ish-Prokurorin e Përgjithshëm Dhori Sollaku dhe dekanin e juridikut në Universitetin Europian të Tiranës e ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata.

”Ndonëse është një ditë e shënuar, nuk bëhet fjalë as për Kurban dhe as për ringjallje historish të tilla. Në qoftë se do të flasim, nëse ka ardhur apo jo koha e skadimit të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm dhe nisjes së procesit për vendosjen e pasardhësit, më duhet të deklaroj që në fillim, opinionin tim teknik dhe politik, që ditën e fundit të muajit të 12 të vitit të pestë nga momenti i emërimit të Prokurorit, Ina Ramës në këtë rast, atëherë është momenti i skadimit të këtij mandati. Sot mund të ketë dy lloj bisedimesh teorike. i pari mund të thuhet që nëse Prokurori ka marrë detyrën në 2007-n, atëherë kur nuk kishte të parashikuar mandati kohor 5-vjeçar, sot mund të ketë një konflikt. Por, në prill 2008, u bënë ndryshime jo vetëm për mandatin e Prokurorit, por edhe për Presidentin e Republikës. Kjo ka lidhje me momentin kohor se kur Presidentit në detyrë i mbaron mandati, çka e përcakton neni 88 pika 2, që thekson se Presidenti në detyrë, i emëruar në 2007-n me kushtetutë të pandryshuar, i mbaron mandati ditë e fundit të muajit të fundit të vitit të pestë. Ky parashikim kushtetues, që u fut në 2008-n, u zbatua pikë për pikë në rastin e Presidentit të Republikës, pra kemi precedent të plotë dhe të qartë të zbatimit të menjëhershëm të zbatimit të ndryshimeve kushtetuese të 2008-s”, argumentoi në nisjen e debatit në studio, zoti Alibeaj.

I një qëndrimi të ndryshëm ishte socialisti Xhafa, i cili kundërshtoi ish-ministrin e Drejtësisë, duke thënë: “Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm ka filluar me një normë tjetër kushtetuese dhe sot ne jemi të detyruar ta gjykojmë me një normë të re kushtetuese, e cila nuk ka fuqi prapavepruese, përveç rasteve kur kjo parashikohet me dispozitë tranzitore. Pavarësisht shembujve që përmendi zoti Alibeaj, kur Kuvendi kufizoi mandatin e Prokurorit, në kohën kur Prokurorja kishte marrë detyrën, nuk përcaktoi një dispozitë tranzitore që do të duhet të rregullonte kufizimin e Prokurores në detyrës. Nga ana tjetër ka edhe një diskutim që ky mandat përfundon në nëntor apo në prill. Në opinion ka pasur mendime krejt të ndryshme, konstitucionalistë kanë shfaqur mendime të ndryshime. Problemi është kushtetues në këtë rast, në një shtet normal, ai që e ka përgjegjësinë dhe rolin që të bëjë këtë rol, duhet ta bëjë. Në këtë rast logjika do që Presidenti t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim”.

Duke ndërhyrë në debat, ish-Prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, vlerësoi se thelbi i këtij debati është më i rëndësishëm se kohëzgjatja dhe dita e skadimit të mandatit. “Duhet një interpretim dhe është për të ardhur keq Shoqata Prokurorëve apo Presidenti Topi nuk kanë folur më parë mbi këtë çështje. Unë mendoj se zoti Xhafa ka të drejtë kur thotë se është bërë e domosdoshme një ndërhyrje, pra një interpretim nga ana e Gjykatës Kushtetuese, ndonëse rregullimi nuk ka fuqi prapavepruese. Megjithatë, nuk duhet të ndalemi tek kohëzgjatja, por tek problematika. Problemi është që në këto vite ne nuk evidentojmë se çfarë nuk shkon tek institucioni dhe ka 20 vjet që funksionon kështu”.

Për deputetin socialist, Fatmir Xhafaj, prokurori është paravendosur me pëleqimin e kryeministrit Sali Berisha. “Lidhur me zgjedhjen e të riut unë nuk pres gjë. Jam dakort që presidenti është i qartë, sic ishte në rastin e KLD, sepse është pjesë e marrëveshjes për t’u ngjitur në atë karrige. Nuk do presim fare as t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese sepse është paravendosur për të zgjedhur prokurorin e ri që do të jetë pëlqim personal i Sali Berishës. Kryeministri nuk ka qenë i interesuar të mbështesë prokurorinë si institucion të pavarur për të patur një luftë efektive kundër korrupsionit sepse është vetë burimi i korrupsionit. Qeveria dhe kryeministri kanë mbajtur nën presion prokurorinë, merr përshembull 21 janarin dhe deklaratën e Berishës. Një fjalor fyes kundër kryeprokurores dhe këto nuk i them unë, por raport-progresi”.

Ndryshe nga Xhafaj mendon juristi Çlirim Gjata. Zoti Gjata tha se sipas Kushtetutës, Presidenti nuk mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetues pa ndodhur më parë kazusi: “Me këtë Kushtetutë, nuk mund t’i drejtohesh paraprakisht Gjykatës Kushtetuese pa ndodhur kazusi, pa ndodhur konflikti. Gjykata Kushtetuese bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, jo interpretim. Këto janë pasoja të Kushtetutës që u kufizua shumë.

Ish-kryeprokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku vlerësoi se nuk qendron defekti tek Prokurori i Përgjithshëm, por tek qasja e politikës ndaj institicioneve të pavarura: “Nuk është defekti tek Prokurori i Përgjithshëm, është një qasje e rrezikshme për respektimin e Kushtetutës dhe institucioneve. Kushtetuta thotë që kryeministri mund të ushtrojë cdo atribut me përjashtim të atyre që iu janë dhënë institucioneve të tjera. Kryeministri nuk ka dashur të mbajë vendin e tij. Asnjë organ tjetër nuk mund të japë vlerësime për mënyrën e zgjidhjes së një cështje, me përjashtim të gjykatës, por kryeministri e bën”.

Edhe deputeti socialist, Fatmir Xhafaj u shpreh skeptik, pavarësisht rezultatit që do të dalë nga zgjedhja e Prokurorit të Përgjithëshëm, qoftë në nëntor, qoftë në maj: “Kur ta shohim jashtë politikës, jashtë ekzekutivit, mund të kemi një institucion të pavarur që ka pak gjasa të ndodhë në rastin konkret. Sepse kemi një histori konkrete se cfarë po ndodh. Ka interesa për ta patur nën kontroll prokurorin pasi një i pavarur do të hapte direkt cështjen e Gërdecit. Po si mendoni ju, do pranonte kryeministri një person të tillë që të thërriste personalisht kryeministrin për të dhënë sqarime? Kjo s’mund të ndodhë në këtë vend. Qeveria s’mund të vendosë një prokuror jashtë influencës së saj sepse ka frikën e vet”.

Por të kundërtën pretendoi deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj. Ai tha se pozicioni i kryeprokurori është përdorur politikisht nga Partia Socialiste dhe për këtë solli shembullin e hetimeve të rrugës Durrës-Kukës: “Akuzuam prokurorin kur kërkoi të përdorte cështjen në rastin e zgjedhjeve të 2009-ës, kur dosja e hetuar plotësisht u mbajt e kyçur në zyrat e prokurorisë edhe pse Lulzim Basha kërkonte vazhdimisht më çoni në gjykatë, duke pritur që të plasej gjatë fushatës. Ina Rama ka patur të gjitha kushtet për të punuar qetësisht në kushte optimale. Ajo që kërkojmë ne ka të bëjë me procesin dhe jo me njerëzit, cfarë qendrimi mbajmë ne ndaj institucioneve të pavarura”.

Në përfundim të mendimeve të tyre, deputeti socialist, Xhafaj tha se me ardhjen në pushtet do të ndryshohet ligji organik duke decentralizuar prokurorinë për të shpërndarë përgjegjësinë në mënyrë që e gjithë barra e akuzave të mos bjerë mbi një person të vetëm.

Ish-kryeprokurori Sollaku vlerësoi edhe njëherë tjetër se është sistemi ai që nuk funksionon dhe se përsa kohë politika nuk do respektojë institucionet e pavarura, nuk ka rëndësi emri i personit në krye të tyre.

Juristi Çlirim Gjata tha se pavarësia e institucioneve krijohet nga vetë personat që e udhëheqin atë. Ai shtoi se i rëndësishëm është procesi dhe përsa kohë emri që do të dalë prej tij është Kushtetues, s’mund të paragjykohet.

Përfaqësuesi i mazhorancës, deputeti Alibeaj, këmbënguli në qendrimin e tij se demokratët do t’i qendrojnë procesit dhe se për ta nuk ka rëndësi emri.

Top Channel