Presidenca e BE-së dhe Komisioni kërkojnë që vendet e Ballkanit të marrin masa afatshkurta  për të ulur abuzimet me regjimin e lirë të vizave, që përbën shqetësim të madh për disa  vende anëtare si rrëfeu dhe Komisionerja Mallmstrom pas takimit të ministrave të Brendshëm.

Cecilia Malmstrom, Komisionerja Europiane për çështjet e brendshme:

“Ka disa gjëra që mund të adresohen në terma afatshkurtër, dhe raporti ynë i identifikon ato, e ne do t’i diskutojmë edhe me ministrat pas 10 ditësh në Tiranë. Por ajo që na godet është tendeca, e cila është e kundërt me atë që duhet të ishte. 75% rritje në një vit është një problem i madh e kjo tregon se duhen bërë përpjekje të mëtejme, në terma afatshkurtër, por edhe në terma afatgjatë, në mënyrë që kjo tendencë të ndryshojë. E fatkeqësisht ne nuk po e shohim këtë gjë e kjo është shumë problematike”.

Eleni Mavrou, Ministre e brendshme e Qipros, Presidenca e BE:

“Sigurisht që duhet të ofrojmë mbështetje për të përmirësuar situatën financiare në mënyrë që këto vende t’iu përgjigjen më mirë nevojave të qytetarëve të tyre. Por abuzimi me sistemin e azilit është diçka që ne nuk mund ta pranojmë. Pra ne besojmë se vendet e Ballkanit duhet të marrin masat e duhura për të luftuar abuzimet me këtë privilegj. Por ju mund ta kuptoni mirë se edhe vetë vendet anëtare të Bashkimit Europian po mendojnë gjithashtu se çfarë masash të tjera duhen marrë”.

Disa vende anëtare të zonës shengen që hasin vështirësi në numrin e lartë të azilkërkuesve nga Ballkani kërkojnë që mekanizmi pezullues të hyjë në fuqi sa më shpejtë.

Ole Schröder, Sekretar Shteti në Ministrinë e Brendshme, Gjermani:

“Parlamenti Europian duhet ta kuptojë se ne duam të veprojmë kundër abuzimit me sistemin e azilit. Shpresoj të arrihet një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur në negociatat me Parlamentin, Komisionin dhe Këshillin. Ne duhet të qartësojmë se të drejtat për azil nuk janë për të ardhur e për të punuar në Gjermani, e për të përmirësuar gjendjen ekonomike. Është gjithashtu e rëndësishme të ndëshkohen ata që organizojnë përpjekjet për abuzim me azilin”.

Tobias Billstrom, Ministër i emigracionit i Suedisë :

“Që prej dhënies së liberalizmit në 2009, Suedia pati 15 000 aplikime të pabazuara, e në një moment, në vitin 2011, Serbia ishte vendi i parë për azilërkues sipër Afganistanit dhe Somalisë. Dua të nënvizoj një gjë, bëhet fjalë për minoritetet dhe situatën e tyre në vendet e Ballkanit. Duhet të flasim se si të përmirësojmë të drejtat e minoriteteve në këto vende nëse duam të shmangim mekanizmin pezullues”.

Johana Mikl-Leitner, Ministrja e Brendshme Federale e Austrisë:

“Duhet të mbrojmë ata që kanë nevojë për mbrojtje dhe të luftojmë abuzimet me azilin. Sa i përket abuzimit me sistemin e azilit nga qytetarët e vendeve të Ballkanit, unë besoj se mekanizmi pezullues është një masë në drejtimin e duhur dhe ne e mbështesim Gjermaninë 100% për këtë”.

Simonetta Sommaruga, Ministre e Drejtësisë e Zvicrës:

“Mendoj se ka një presion nga shumë vende, përfshirë Zvicrën, për të pasur të paktën një instrument mbrojtës. Për momentin nuk bëhet fjalë për ta vënë në zbatim. Por mendoj se duhet të jetë aty dhe ka vende të ndryshme që i kërkojnë Komisionit dhe Parlamentit për ta pasur këtë instrument. Në anën tjetër mendoj se çdo vend ka mundësitë për të marrë masa, siç i ka marrë Zvicra duke refuzuar azil-kërkuesit nga vendet e Ballkanit”.

Për momentin BE ka në fuqi vetëm mekanizmin monitorues të mbarëvajtjes së procesit të liberalizimit të vizave, ndërkohë që mekanizmi pezullues është ende në fazën e negociatave mes Këshillit dhe Parlamentit Europian, e pritet të miratohet brenda 4  muajsh.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel