Punësimet në Itali, shtyhet afati deri më 2 nëntor

25/10/2012 00:00

Ministria e Punës në bashkërendim me zyrën e koordinimit vendor në
Shqipëri të Ministrisë Italiane të Punës dhe Politikave Sociale, njoftoi
dje shtyrjen e afatit të regjistrimeve për trajnim dhe punësim në
Itali. Sipas informacionit zyrtar aplikimet shtyhen deri në datën 2
nëntor në orën 14:00.

Çelja e Fazës së dytë të përzgjedhjes së 190 kandidatëve u prezantua tri javë më parë nga ministri Ksera dhe ambasadori italian, Gaiani. Fituesit e fazës së përzgjedhjes, pas ndjekjes së kurseve intensive profesionale dhe të gjuhës, si dhe certifikimit të njohurive të marra, do të kenë mundësi të përfitojnë nga ofertat e punëdhënësve italianë në profesionet e përcaktuara paraprakisht dhe jo vetëm punësim të përkohshëm.

Aplikimi

Të interesuarit duhet t’u drejtohen sporteleve të migracionit pranë Drejtorive Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit në qendrat e tyre të banimit për t’u regjistruar deri në 2 nëntor.

Thirrjet për aplikime bazohen në Memorandumin e Mirëkuptimit, nënshkruar në korrik të vitit të kaluar ndërmjet dy ministrive të Punës dhe në zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit dypalësh në fushën e migracionit për arsye punësimi, të nënshkruar në 2 dhjetor 2008.

Kriteret për aplikantët janë: Mosha 18 vjeç e lart, të padënuar dhe në ngarkim të të cilëve nuk janë hapur procedime penale, nuk janë subjekt i një gjendjeje juridike që t’i pengojë lëshimin e vizës italiane, për arsye punësimi.

Po ashtu, aplikantët duhet të jenë të interesuar të punojnë në profesione e përcaktuara në Thirrje: punues metalesh (programues/ përgatitës makinerish me kontroll numerik të kompjuterizuar, saldatorë, montatorë mekanikë, operatorë makinerish me kontroll numerik të kompjuterizuar, elektricistë); shërbime për ndërmarrjet (Pastrues/e në industri); sekretari e përgjithshme/ tregtare dhe marangozë – montatorë stendash, për të cilat të përzgjedhurit do të marrin formim profesional përpara punësimit.

Top Channel