Kuvend, nuk votohen ligjet me 3/5

24/10/2012 00:00

Parlamenti nuk votoi sot ligjet me 3/5-t që janë kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat. Kreu i grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi i kërkoi socialistëve që të mos zvarrisin integrimin, ndërsa opozita instistoi në zhbllokimin e qarkut të Fierit.

“BE po pret, por jo pafundësisht, miratimin e 3 reformave për t’i dhënë fund stresit tonë për statusin. Por PS është gati të mos votojë ligjet e thjeshta e jo më ato me 3/5-t. Ky është bllokimi i radhës”, deklaroi Patozi.

“Ju mendoni se ne jemi disa numra, që kur keni ju nevojë për ndihmë duhet t’jua japim votën. Nëse doni ligjin për Gjykatën e Lartë, uluni në komision dhe kërkoni opinionin e opozitës, mos e shpërfillni atë siç keni bërë deri tani”, u përgjigj nga ana tjetër homologu Gramoz Ruçi.

Ndërkohë, kryeministri Berisha u përfshi në debate me deputetin Arben Ahmetaj dhe kreun e grupit socialist, pas disa akuzave për korrupsion që bëri ndaj tyre.

“Je ti njësoj si Lukashenko dhe Chavez. Ti ke vjedhur shqiptarët në ’97, ti ke vrarë 26 veta në Gërdec. Ti je i zi dhe s’të lejohet të flasësh për ekonominë”, reagoi deputeti Ahmetaj.

Berisha shkëmbeu replika edhe me deputeten Olta Xhaçka, duke ironizuar zgjedhjen e saj në krye të forumit të grave të Partisë Socialiste.

Historia e Qarkut të Fierit

Por çfarë po ndodh në Qarkun e Fierit, “molla më e fundit e sherrit’ në politikën shqiptare? Për ta sqaruar shkurtimisht gjithë kalvarin e gjatë të përballjes politike mes të majtës dhe mazhorancës në këtë qark, i ftuar në studiot e edicionit qendror të lajmeve në Top Channel ishte deputeti socialist i Fierit, Armando Subashi.

“Historia e Qarkut të Fierit ka 1 vit që zë vend nëpër media. Pas zgjedhjeve dhe mbledhjeve të para të konstituimit, një nga detyrat ishte zgjedhja e përfaqësuesve në Qark. 56 këshilltarë në këtë Qark ishin nga koalicioni ynë, 46 nga koalicioni kundërshtar. Në përfundim të mbledhjes u zgjodh kryetari, nënkrytari që natyrisht i përkiste forcës sonë. Mazhoranca, natyrisht nuk u pajtua me këtë proces dhe  ndërhyri duke shkarkuar me presion këshilltarët e majtë nëpër komuna dhe zgjodhi këshilltarët e vet. Këshilltarët tanë, ata 14 që u shkarkuan, ankimuan cështjen nëpër gjykatat shqiptare. Sot 11 prej tyre kanë fituar çështjen, por pengohen nga ekzekutivi, nga prefekti për të ushtruar detyrën si këshilltar i Qarkut të Fierit. Për ne rëndësi ka të zbatohen vendimet gjyqësore. Qarku është organ Kushtetues. Gjykatat këtë kanë thënë që mandati i këshilltarit nuk mund të preket”, deklaroi zoti Subashi.

Nëse socialistët do të vazhdojnë të kushtëzojnë miratimin e ligjeve me 3/5 me zgjidhjen e cështjes së Fierit, deputeti socialist tha se kërkohet të vendoset standardi i respektimit të vendimeve të gjykatave. Subashi i bëri thirrje mazhorancë të zbatojë këto vendime dhe vetëm atëherë socialistët do të jenë të gatshmëm të punojnë për ligjet që janë në proces shqyrtimi në Kuvend.

Top Channel