Projektligji për transmetimet me zë dhe figurë, një ndër më të debatuarit, por edhe një nga projektligjet që ka qëndruar për disa vite në pritje dhe është konsultuar edhe nga ekspertët ndërkombëtarë, është kaluar parimisht në komisionin e medias dhe arsimit.

“Është shumë delikat për fushën që mbulon dhe i rëndësishëm për faktin se kemi të bëjmë me një ligj që duhet të bëhet themel për interesat e publikut. Ekspertiza ka qenë shumë e cmuar. Ne do ta miratojmë në parim, ndërsa në votimin nen për nen do të shohim edhe kërkesat për ndryshime”, ka deklaruar deputetja e PS, Valentina Leskaj.

Dy relatorët e këtij projektligji, i cili do të diskutohet nen për nen javën e ardhshme, kanë vlerësuar përmbajtjen aktuale të këtij projektligji, por kanë kërkuar që deputetët të jenë të hapur edhe për ndryshime të mëtejshme.

“Me këtë projektligj një pjesë e mirë e anomalive në transmetuesit televiziv dhe radiofonik në vend do të gjejnë zgjidhje”, ka thënë deputeti demokrat Mark Marku.

“Duke e miratuar në parim, kërkoj që votimi nen për nen të përdoret për ta diskutuar, pikërisht çdo nen, në mënyrë që ky ligj të jetë sa më i përshtatshëm për Shqipërinë”, ka thënë më pas relatori socialist Alfred Dalipi.

Në vitin 2015 të gjitha transmetimet duhet të jenë dixhitale dhe ky transformim është kërkuar të bëhet në sa më pak kosto për konsumatorët.

Top Channel