Ndreca letër Clinton, përgjigjen SHBA

19/10/2012 00:00

Gjergj Ndreca, ish i burgosuri politik, emri i të cilit nisi të bëhet i
njohur për reagimet e tij të dhunshme kundër politikanëve dhe arriti
kulmin me djegien e tij publike në 8 tetor përpara tendave të grevës së
urisë, duket optimist se greva do ia arrijë qëllimit edhe pse kanë
kaluar 28 ditë nga lëvizja radikale e bashkëvuajtësve të tij dhe askush
nuk po ulet të bisedojë me ta.

Me djegie të shumta në fytyrë dhe në trup Ndreca zbret shkallët e Repartit të Djegieve dhe Plastikës, pas kthimit të tij dy ditë më parë nga Selaniku. I ashpër si gjithnjë dhe euforik ai shpreson tashmë te faktori ndërkombëtar.

“Me këtë mbështetje, me këtë përkrahje që kemi patur nga të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve të vendit, nga të gjithë faktori ndërkombëtar, unë sot sikur të vdes para jush këtu, unë jam njeriu më i nderuar”, thotë Ndreca.

Grevisti rebel thotë se i ka nisur një letër edhe Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton. Në letër ai i shkruan asaj se ‘Qeveria aktuale ka miratuar një ligj në vitin 2007, mbi dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë dhe e ka patur detyrim që ta zbatojë atë brenda 8 viteve. Në vitin e pestë të zbatimit, – shkruan Ndreca- Qeveria ka kryer një të tetën e detyrimit dhe me këtë ritëm, i bie që ligji të zbatohet pas 40 vitesh, kur askush nga ne nuk do të jetojë më”.

“Thelbi i kërkesave tona, – shkruan më tej Ndreca,- ka të bëjë me një defekt themelor të shoqërisë ku jetojmë, moszbatimin e ligjit. Kërkesat tona u injoruan dhe në vend të dialogut dhe zgjidhjes u përballëm me një fushatë përbaltjeje, si kriminelë ordinerë. Akti im dhe i mikut tim Lirak Bejko, që shkuam me qetësi drejt vetëflijimit, nuk është akt i njerëzve të dëshpëruar, por i qytetarëve të vendosur që duan të ndezin shpresën e një shoqërie, e cila është lodhur nga zhgënjimet, korrupsioni dhe regjimet autoritare”.

Duke iu referuar në letër Kryeministrit Berisha, Gjergj Ndreca i shkruan Sekretares Amerikane të Shtetit, se ‘në vitin 1997, kur në Shtëpinë e Bardhë ishte Presidenti Bill Klinton, ky politikan dogji Shqipërinë, vetëm pse nuk pranonte të ulej në dialog me kundërshtarët e tij dhe të dëgjonte këshillat e Shteteve të Bashkuara, për zgjedhje të lira dhe të ndershme’.

“Një njeri që ka pranuar të djegë Shqipërinë për karriken e vet, nuk e ka problem të shikojë si digjen qytetarët e vet për të drejtat e tyre”, shkruan Ndreca.

Optimist nga ajo që e quan mbështetje, që po i jep faktori ndërkombëtar, ai shpreh zhgënjimin e tij edhe me Presidentin e Republikës, i cili, sic thotë, dha shkëndijën e parë, por edhe të fundit për një dialog që nuk nisi kurrë.

“Presidenti, sic themi ne mirditorët, është si një grua e divorcuar, që as nuk e le kush të flasë. Ai po të ketë mundësi na jep në nga një miliard euro të gjithëve, por ai kur s’është i zoti për veten e tij dhe nuk e kupton pse është në detyrë…”, thotë Ndreca.

Në fund Ndreca falenderon bashkëvuajtësit e tij dhe është i sigurt në triumfin e grevës që për dy ditë mbush një muaj prej fillimit të saj.

“Unë ju bëj thirrje të gjithë atyre shqiptarëve që sinqerisht të vdesim të gjithë sa jemi gjithë të burgosurit politikë është nder për ne për respektin që na kanë bërë shqiptarët vëllazërisht”, thotë Ndreca.

Reeker: Qeveria, dialog me ish-të përndjekurit

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Euroazinë, Philp Reeker, i bëri sot thirrje autoriteteve shqiptare që të hyjnë në dialog për të gjetur një kompromis për çështjen e grevës së urisë së ish-të përndjekurve politikë.

Zoti Reeker u bëri thirrje si autoriteteve, ashtu edhe grevistëve, të mos ndërmarrin hapa që do të çonin në dëmtime fizike të vetes së tyre, ose të të tjerëve. Situata, tha zyrtari i lartë amerikan, duhet zgjidhur me dialog dhe me qetësi.

“Palët nuk duhet të ndërmarrin sulme personale dhe politike të cilat kanë treguar se përshkallëzojnë situatën dhe pengojnë mundësinë e dialogut”, deklaroi Reeker. Zoti Reeker i bëri këto komente gjatë një konference shtypi në Uashington mbi Ballkanin perëndimor.

Shqipëria, tha ai, mori një vlerësim pozitiv nga Komisioni Evropian lidhur me çështjen e statusit të vendit kandidat, por ky është vetëm një hap drejt proçesit të anëtarësimit në BE dhe vendi duhet të vazhdojë reformat. 

Top Channel