Të dënuarit e Peqinit, në grevë urie

17/10/2012 00:00

Dhjetëra të dënuar në burgun e Peqinit kanë nisur të mërkurën një grevë
urie pasi shprehen të pakënaqur nga amnistia që do të bëhet me rastin e
100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Të dënuarit kanë deklaruar se
do të refuzojnë ushqimin e institucionit të vuajtjes së dënimit, por
edhe të familjarëve të tyre.

Sipas të burgosurve amnistia prek të burgosurit që pothuajse e kanë përfunduar dënimin prandaj kërkojnë të rivlerësohen vendimet e gjykatave për të përfituar nga amnistia. Greva e të dënuarve në burgut e Peqinit vjen pas asaj në burgun e Shënkollit në Lezhë dhe të Fushë Krujës.

Sipas projektligjit të miratuar javën e kaluar nga Këshilli i Ministrave, 2546 persona do të përfitojnë nga dhënia e amnistisë me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Nga këta përfitojnë 290 persona që gjenden në sistemin e burgjeve, 928 të rritur dhe 452 të mitur që ndodhen nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës dhe janë me masa alternative dhe 876 persona, të cilët deri në datë 31.08.2012 kanë qenë në hetim për veprat penale, për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim deri në dy vjet ose çdo lloj dënimi tjetër të lehtë.

Top Channel