Elbasan, hetimet për vrasjen e Beqirajt

16/10/2012 00:00

Gjykata e Rrethit të Elbasanit vendosi të lërë në arrest me burg shtetasin Ajet Jaçe dhe la të lirë Lorenc Çapjan, që të dy të akuzuar për vrasjen e Gentian Beqirajt.

Beqiraj, 35-vjeç, u vra në banesën e tij në lagjen “Sporti i Vjetër” mëngjesin e datës 15 gusht teksa ndodhej nën masën e arrestit shtëpiak të vendosur nga gjykata pasi dyshohej si autor i vrasjes së Sokol Çapjas.

Pista e parë e hetimit u adresua tek ky krim i kryer disa vjet më parë, që çoi në vrasjen e biznesmenit Çapja, vrasje për të cilën ishte vënë nën akuzë 35-vjeçari Beqiraj, si një prej autorëve të mundshëm të saj.

Policia arrestoi Lorenc Çapjan dhe Ajet Jaçen si autorët e vrasjes së Beqirajt edhe pse ky i fundit ndodhej në arrest shtëpie dhe i ruajtur nga forcat e policisë.

Sipas raportit të uniformave blu, dy agresorët janë paraqitur para policëve që ndodheshin në derën e apartamentit të Gentian Beqirajt si dy të njohur të tij dhe më pas kanë kaluar pa u kontrolluar nga këta të fundit. Brenda banesës ata kanë shfrytëzuar një pistoletë me silenciator për të vrarë objektivin e tyre, ndërsa i ati i viktimës pas vrasjes së djalit në sytë e tij, pësoi arrest kardiak dhe ndërroi jetë pak minuta më vonë.

Nën akuzë përfunduan edhe dy punonjësit e policisë së Elbasanit, Reshat Bedani dhe Sami Dertila për neglizhencë në detyrë.

Top Channel