Grevistët: Berisha të mos shpikë armiq

15/10/2012 19:30

Grevistët i janë kundërpërgjigjur kryeministrit Berisha përmes një deklarate të përbashkët ku i kërkojnë të mos shpikë armiq të kotë, siç shprehen ata, por të takohet me ish-të përndjekurit për plotësimin e kërkesave të tyre.

“Kur nuk do të zgjidhë problemet, ai shpik armiq. I bëj thirrje kryeministrit që të heqë dorë nga këto dhe që të pranojë një takim urgjent”, ka deklaruar një prej grevistëve.

Në orët e pasdites shëndeti i njërit prej grevistëve është rënduar së tepërmi, ndërsa ky i fundit nuk ka pranuar të shkojë në spital, pavarësisht këmbënguljes së mjekëve.

“Shumë sëmurë është. Ai e ka refuzuar vajtjen në spital. Do të shohim nëse gjendja e tij do të përmirësohet ose jo”, ka thënë një prej grevistëve.

Për herë të parë, dhjetëra ish-të përndjekur politikë që kishin mbërritur nga qyteti i Shkodrës janë mbledhur në afërsi të ambienteve ku po zhvillohet greva e urisë, për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj grevistëve.

“Ne ju respektojmë dhe do t’ju mbështesim derisa sakrifica juaj sublime të marrë zgjidhje. Në emër të baballarëve të ish-të përndjekurve i bëj thirrje qeverisë që të vërë dorën në zemër dhe të zbatojë ligjin”, deklaroi vajza e një të përndjekuri.

Gjendja e grevistëve është rënduar edhe për shkak të rrebesheve të shiut që kanë lagur çadrën e improvizuar në qiell të hapur.

Ndërkaq, gjatë paradites situata është tensionuar kur koordinatorët e grevës kanë tentuar të rifusin në grevë ish-grevistin Arif Beu, por nuk janë lejuar nga forcat e policisë. Ish-i përndjekuri ishte larguar nga greva dy ditë më parë për shkak të gjendjes shëndetësore të së bijës.

Pas përballjes me forcat e policisë, koordinatorët e grevës kanë paralajmëruar një tjetër grevë, në një tjetër ambient, me grevistë të rinj.

Top Channel