Nën “SHIU”-un e Ministrisë së Mbrojtjes

14/10/2012 00:00

Nga Petrit Zambaku – Kur u shkëmbyen replikat e para ndërmjet anëtarëve të Komisionit të Sigurisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, besoj se kanë qenë të paktë ata që mund të imagjinonin se ky ishte fillimi i një debati të ashpër politik, që do të merrte përmasat që ka tani. Çdo gjë ka zënë fill më 18 maj 2012, kur Komisioni i Sigurisë në Kuvendin e Shqipërisë ka miratuar pa kundërshtime vendimin për të ushtruar një kontroll parlamentar në Ministrinë e Mbrojtjes. Bashkë me planin e kontrollit me tetë pika, u miratua edhe krijimi i tetë grupeve me deputetë anëtarë të Komisionit të Sigurisë për të kontrolluar: zbatimin e ligjit për gradat; planin e përhapjes së Forcave të Armatosura; paketën ligjore në Forcat e Armatosura; kapacitetet operacionale; buxhetin 2011; veprimtarinë e MEICO-s gjatë vitit 2011; veprimtarinë e SHIU-t, si dhe detyrat e ATC gjatë vitit 2011. Është e rëndësishme të theksohet se në mbledhje kanë marrë pjesë me cilësinë e të ftuarve dhe ministrat e Brendshëm, Jashtëm dhe Mbrojtjes, respektivisht zotërinjtë Nishani, Haxhinasto dhe Imami. Deri në atë moment komunikimi ka qenë normal dhe pa kundërshtime, gjë që pasqyrohet dhe në procesverbalin e mbledhjes publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë. Por më pas, ai që duhej të ishte një kontroll i zakonshëm parlamentar u shndërrua në një debat të ashpër politik që ka dalë nga institucionet ku ka filluar dhe është zhvendosur në ekranet e televizioneve dhe faqet e para të gazetave.

Megjithëse kanë kaluar rreth pesë muaj, mbikëqyrja parlamentare si forma më e lartë e kontrollit mbi institucionet e sigurisë ende nuk është realizuar në Ministrinë e Mbrojtjes, madje askush nuk e di në ç’rrugë do të verifikohen akuzat e rënda që janë hedhur. Kjo situatë e krijuar ka nxjerrë edhe një herë në dukje mosfunksionimin e institucioneve të rëndësishme të shtetit shqiptar në një moment krejtësisht të papërshtatshëm, kur Shqipëria duhet të plotësojë kushtet e fundit për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE.

Duhet thënë se në këtë histori akuzash është përfshirë për herë të parë që nga krijimi në vitin 1991 edhe Shërbimi Informativ i Ushtrisë, si pjesë e rëndësishme strukturore e Ministrisë së Mbrojtjes. Mbi të janë hedhur akuzua për tejkalim të kompetencave në ushtrimin e detyrës, për blerje të paligjshme të një pajisjeje me aftësi interceptuese, si dhe për blerje të dy armëve tip snajper.

Për shkak të angazhimit në radhët e shoqërisë civile për çështjet e kontrollit demokratik mbi institucionet e sigurisë, kam ndjekur me vëmendje ato që janë thënë për SHIU-n dhe njëkohësisht jam përpjekur të arsyetoj për të arritur tek e vërteta. Kërkimet më kanë kthyer pas në kohë, më 27.09.2011, kur në Komisionin e Sigurisë është zhvilluar një seancë dëgjimore me ministrin e Mbrojtjes, ku ai duke folur për SHIU-n ka deklaruar: “…Meqenëse përmirësimet në strukturë kanë rezultuar të suksesshme, duhet që ato të strukturohen dhe të normativizohen edhe në ligjin ‘Për Shërbimin Informativ Ushtarak’… po punohet për hartimin e një projekti… Mendojmë që SHIU të kalojë në statusin e një drejtorie të përgjithshme, çka do të siguronte një nivel të njëjtë me shërbimet homologe të vendeve të NATO-s dhe do të ishte në përputhje me Ministrinë e Integrimit, për shkak se sot SHIU përmbledh edhe radiozbulimin, edhe drejtoritë IET 2…”

Nga thëniet e ministrit rezulton se SHIU ka në vartësi strukturore disa sektorë të tjerë, që më parë kanë qenë pjesë e forcave të armatosura. Kalimi i tyre nën vartësinë e SHIU-t mendoj se duhej të ishte bërë me ligj (nëse një gjë e tillë ishte e nevojshme), për arsyen se ato përdorin mjete dhe aplikojnë metoda pune të ndryshme nga SHIU. Kështu, p.sh., radiozbulimi për përmbushjen e detyrës ka në përdorim aparatura dhe pajisje me aftësi interceptuese, të cilat në rastin kur janë nën vartësinë e SHIU-t, mund të jenë në kundërshtim me ligjin për interceptimin e telekomunikacioneve në Shqipëri. Kjo mbart në vetvete rrezikun për ndryshimin e destinacionit të përdorimit të këtyre pajisjeve. Për zgjidhjen e kësaj situate duhet që prokuroria të marrë vendim për verifikimin e aftësive interceptuese të pajisjeve që ka në përdorim radiozbulimi, si dhe të asaj të blerë nga SHIU, qëllimin e përdorimit, vendinstalimin etj., sepse të drejtën për të pasur pajisje me aftësi interceptuese ligji ia ka njohur vetëm SHISH, Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë dhe shoqërive të telekomunikacionit celular, por gjithnjë nën kontrollin e prokurorisë.

Gjithashtu, nën vartësinë e SHIU-t, operojnë edhe struktura të tjera si IET 2 dhe zbulimit ushtarak. Ky i fundit realizon misione me një shkallë të lartë rreziku. Për këtë arsye duhet të pajiset me armatim dhe mjete të tjera që mundësojnë realizimin e misionit dhe mbrojtjen e jetës së ushtarakëve të angazhuar në misione. Kjo mendoj se shpjegon edhe arsyen e blerjes së snajperëve nga SHIU. Por derisa përfshirja e strukturës së zbulimit ushtarak në përbërje të SHIU-t nuk është e rregulluar me ligj, gjendemi përsëri në kushtet e veprimeve të paligjshme. Për të mbushur këtë boshllëk ligjor, ashtu siç është shprehur edhe ministri në Komisionin Parlamentar, Ministria e Mbrojtjes ka përgatitur një projekt, i cili ende nuk është kthyer në projektligj. Unë jam njohur me përmbajtjen e tij dhe dua të them se projekti ka doza të tepruara ambicieje dhe egoizmi, që konstatohen që në emërtimin e tij të pakuptimtë “Projektligj për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes”. Nuk mund të them nëse ky projekt do të kthehet ndonjëherë në ligj, por ajo që duhet bërë, është që të frenohet ëndrra e drejtuesve të SHIU-t dhe Ministrisë së Mbrojtjes për ta transformuar SHIU-n në një agjenci të madhe informative, sepse kjo ambicie është më e madhe se nevojat e ushtrisë shqiptare, si dhe e parakohshme në raport me mundësitë e SHIU-t për të hedhur një hap të tillë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel