Berisha në Peshkopi, sulmon Ramën

13/10/2012 19:40

Nga qyteti i Peshkopisë kryeministri Sali Berisha ka komentuar vendimin e
Komisionit Europian për t’i rekomanduar Këshillit marrjen e statusit të
vendit kandidat. I pranishëm në ceremoninë e diplomimit të studentëve
të parë të Universitetit Aleksandër Moisiu, në filialin e tij në
Peshkopi, kreu i qeverisë akuzoi opozitën se bëri gjithcka për të
penguar marrjen e statusit.

“U qëndrua dy vite, jashtë parlamentit, për të ndëshkuar vendin dhe më pas u pranua gjithçka që ne kishim propozuar. Qeveria ka për detyrë jo t’i imponohet opozitës, përkundrazi, detyra e saj është të bëjë gjithçka, t’i krijojë hapësirën më të madhe asaj. Ky është qëndrim i pandryshueshëm. Por, kur pranuan në muajin nëntor të vitit të kaluar, atë që ishte ofruar edhe 24 muaj më parë, atëherë duhet të nxjerrin një leksion”, tha Berisha.

Kryeministri tha se qeveria e tij do të bëjë gjithcka për plotësuar detyrimet  e Brukselit. Ka qenë kjo mazhorancë, deklaroi Berisha, që ka rikonstruktuar 71 % të shkollave dhe ka rritur në mënyrë drastike përqindjen e të diplomuareve.

Kryeministri pohoi se cilësia e arsimit ka probleme serioze, por rritja e cilësisë tha ai do të shpallet prioritet i qeverisë në mandatin e ardhshëm.

Berisha u ndal te një tjetër arritje e qeverisë së tij sic e cilësoi, rritjen e numrit të përdoruesve të internetit duke vecuar edhe këtu një rekord

“Në Facebook, Shqipëria lë sot mbrapa një numër jo të vogël vendesh anëtare të BE-së. Në vitin 2005, Shqipëria kishte një përdorim celularë, në masën 38 përqind, sot e ka 186 përqind”, shtoi kreu i qeverisë.

Kryeministri Berisha vizitoi edhe panairin e agrobiznesit “Festa e të Vjelave”, në Peshkopi. Berisha iu premtoi fermerëve trefishim të investimeve gjatë viteve që do të vijnë.

Top Channel