Rrezikohet ndeshja me Islandën

12/10/2012 00:00

Problemet në stadiumin kombëtar Qemal Stafa që kanë shoqëruar ndeshjet e
fundit në kupën e shqipërisë dhe të përfaqësueses kuqezi, duket se do
të vazhdojnë të jenë një makth për kombëtaren tonë edhe për ndeshjen e
sotme, atë përballë Islandës që do të luhet në orën 19:00.

Burime të sigurta pranë delegatit hungarez të ndeshjes kanë pohuar për Top Channel se gjendja para stadiumit të vetëm kombëtar shqiptar ka shokuar punonjësin e FIFA-s, i cili ka dërguar menjëherë një relacion me nota shumë kritike në organizmin e futbollit botëror për mospërmbushje të kritereve nga ana e Bashkisë së Tiranës.

Problemi sipas delegatit hungarez është rruga e hyrjes së skuadrave në stadium e cila nuk është në standardet që kërkon FIFA, organizmi më i lartë i futbollit botëror. Sheshi përpara stadiumit, që përkon me tribunën qendrore është rrethuar prej gati një viti nga një firmë private të cilës Bashkia e Tiranës i ka dhënë një leje për të ndërtuar një parking.

Firma ka mbyllur të gjitha hapësirat, duke lënë vetëm një shteg të vogël, ku nuk mund të kalojnë as veturat, jo më autobusët e skuadrave për të sjellë lojtarët, që duhet të ecin disa dhjetra metra në këmbë që të hyjnë në stadium dhe të drejtohen për nga dhomat e zhveshjeve.

Ky skandal, që për ndeshjet e Superligës askush nuk mendon se përbën problem, për standardet më minimale që kërkon FIFA vë në rrezik zhvillimin e ndeshjeve ndërkombetare, sic është rasti i takimit të sotëm Shqipëri – Islandë, e parashikuar të luhet në orën 19:00.

Shkresa e delegatit përmban shumë detaje për gjendjen, ndërsa po pritet një përgjigje përfundimtare nga zyrat qendrore të FIFA-s, që do të vendosin edhe fatin e këtij takimi.

Një muaj përpara ndeshjes me Qipron, kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha pas një takimi që pati me përfaqësuesit e FIFA-s dhe me drejtuesit e FSHF mori përsipër që të rregullonte pjesën e përparme të stadiumit Qemal Stafa, ku hyrja e skuadrave të ishte sipas standardeve të FIFA-s. Prej asaj dite kanë kaluar dy muaj dhe situata vazhdon e njëjtë, ndërsa Shqipëria rrezikon të marrë një njollë të zezë në këtë 100-vjetor.

Sido që të jetë vendimi, Shqipëria për të dytën herë është kthyer në problem në zyrat më të larta të futbollit botëror, për një portë, që fatkeqësisht nuk është ajo në fushën e lojës.

Top Channel