MPJ reagon për kthimin e fëmijëve

11/10/2012 00:00

Nisur nga rastet e fundit të kthimit të emigrantëve shqiptarë në kufirin me Greqinë, Ministri i Jashtëm Edmond Panariti zhvilloi një bisedë telefonike me homologun grek, Dimitris Avramopulos ku i ngriti këtë shqetësim.

Sic thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, zoti Panariti i kërkoi homologut grek që për një periudhë kohe të vazhdojë praktika e vjetër e njohjes së dokumenteve, deri në një moment të dytë kur dy palët të gjejnë një zgjidhje.

Çështja e bllokimit të fëmijëve shqiptarë në kufirin grek me justifikimin se pasaportat nuk kanë emërtimet e duhura të vendlindjes, është diskutuar edhe në Kuvend.

Deputeti Taulant Balla deklaroi se jane me mijra raste vetem ne qarkun e Elbasanit, kur shtetasit shqiptare hasin veshtiresi sepse autoritetet greke nuk njohin emerimet shqip te toponimeve.

Emërtimet në shqip të emrit të shtetit grek dhe qyteteve në pashaportat e reja biometrike ka penguar dhjetra persona që të mund të kthehen pranë shtëpive të tyre në Greqi.

Në pikën e kalimit kufitar në Kakavijë janë me dhjetra rastet kur fëmijë të mitur të lindur në Greqi nuk pranohen të udhëtojnë në Greqi duke kthyer mbrapsht të gjithë familjen.

Familjet, fëmijët e të cilëve janë penguar të kalojnë kufirin u bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare që gjatë vizitave në Greqi të zgjidhin këto probleme të mëdha që po ndajnë më dysh familjet dhe që bëjnë të rrezikojnë gjithcka që kanë arritur në vite të tëra emigrim në Greqi.

Top Channel