Sequi dorëzon progres raportin

10/10/2012 00:00

Çfarë do të ndodhë me statusin e vendit kandidat, nëse deri në dhjetor Shqipëria nuk ka plotësuar reformat kyçe që BE i ka vënë si kushte? Ambasadori i BE-së në Tiranë nuk i dha përgjigje kësaj pyetjeje.

Teksa i dorëzoi progres-raportin kryeministrit Sali Berisha, Ettore Sequi preferoi të ishte optimist se politika, që nuk i përmbushi detyrimet në një vit, do t’i përmbyllë ato në dy muaj.

“Do të doja t’i përgjigjesha ndryshe pyetjes. Unë besoj se reformat janë afër nesh. Unë besoj se është e mundur t’u prezantojmë shteteve anëtare ato që kërkojnë për të dhënë miratimin e tyre”, deklaroi Sequi.

“Duhet të vazhdojmë të shohim njëri-tjetrin pak më gjatë në sy, pasi duhet më shumë për të arritur një kompromis”, tha ai duke iu përgjigjur një pyetjeje tjetër.

Ndërsa kryeministri Sali Berisha e konsideroi objektiv raportin e Brukselit për ecurinë 1-vjeçare të Shqipërisë, sikundër edhe kushtet e vëna nga Brukseli. Ai tha se mbetet i angazhuar për t’i përmbushur detyrimet e paplotësuara.

Por pyetjes së Top Channel për rishkim të pozicionit të mazhorancës kundrejt kushteve të opozitës, që kanë të bëjnë me zbatimin e vendimit për qarkun Fier për të vijuar me ligjet me 3/5, kreyeministri tha se nuk do të lëshojë për çështje që kanë të bëjnë me parimet ligjore.

“Absolutisht në çdo rast. Ne kemi bërë çdo gjë për të patur marrëveshje, por ka disa gjëra themelore, të cilat nëse shkelen dëmtohet rendi kushtetues. Nuk mund të bëhen këto, për të tjerat ne mbetemi tërësisht të hapur”, theksoi Berisha.

Edhe në rast të miratimit të marrjes së statusit për Shqipërinë, çelja e negociatave me BE-në për anëtarësimin vetëm pas zgjedhjeve të përgjithshme të 2013-ës, për kryeministrin shqiptar është një vendim i drejtë i Brukselit.

Ambasadori Sequi i dorëzoi progres raportin edhe presidentit Nishani, kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, ministrit të Jashtëm, Edmond Panariti dhe kryetarit të PS, Edi Rama.

Sequi: Çfarë kërkojmë prej Shqipërisë

Një një konferencë për shtyp, disa orë pasi Komisioneri i BE-së për zgjerimin, Stefan Fule, konfirmoi dhënien e një statusi të kushtëzuar të vendit kandidat për Shqipërinë, përfaqësuesi i Brukselit në Tiranë, Ettore Sequi, shpjegoi përfundimet e progres-raportit.

Duke u ndalur në pikat pozitive të raportit që përfshin 12 muajt e fundit, Sequi theksoi se: “Progresi në disa ligje të rëndësishme për vendin, si ai për Gjykatën Administrative dhe në ligjet që i përkasin luftës kundër korrupsionit ka luajtur një rol të rëndësishëm në vendimin e KE-së”.

Ambasadori, ndërsa shpjegoi se Brukseli nuk i ka bërë asnjë dhuratë Shqipërisë dhe se do të ketë një raport tjetër në fund të vitit, theksoi se duhet të bëhet ende një progres shumë i madh në çdo drejtim, që vendi të nisë bisedime të suksesshme për anëtarësimin përfundimtar në BE.

“Procesi është i bazuar tek merita dhe jam i bindur që Këshilli bindet nga faktet dhe faktet janë përmbushja e disa reformave. Integrimi në Shqipëri është një objektiv kombëtar, duhet një dialog, durim dhe kompromis për ta arritur. Në këtë kuadër, duhet më shumë angazhim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar apo në reformat gjyqësore dhe ato parlamentare”.

Pavarësisht këtij statusi “të cunguar” që i akordohet aktualisht vendit tonë, ambasadori u tregua i kujdesshëm për të theksuar se integrimi përfundimtar mbetet ende larg dhe se shumë për të ardhmen europiane të vendit tonë, do të varet nga zgjedhjet e vitit 2012. “Shqipëria duhet të përmirësojë sundimin e ligjit, në mënyrë që të nisë negociatat për anëtarësim. Zgjedhjet e vitit 2013, do të luajnë një rol vendimtar për integrimin e vendit”.

Sequi tek Panariti dhe Nishani

Pas takimit me kryeministrin Berisha, ambasadori i BE-së, Ettore Sequi i ka dorëzuar progres-raportin ministrit të Jashtëm, Edmond Panariti.

Në takimin me diplomatin evropian, Panariti ka vlerësuar se, situata është optimiste dhe ka vënë në dukje se ka ende kritere që duhet të përmbushen.

Ndërsa zoti Sequi nga ana e tij ka thënë se: “Reformat e kërkuara janë të kapshme dhe mund të arrihen shumë shpejt. Proçesi i integrimit është në interes të gjithë shqiptarëve”.

Më pas, ambasadori i BE-së ka vazhduar takimet me presidentin Bujar Nishani, të cilit i ka dorëzuar gjithashtu dokumentin e Brukselit, duke theksuar se roli i kreut të shtetit në konsensusin politik është vendimtar.

Nga ana e tij, presidenti Nishani ka deklaruar se raporti njeh arritjet e Shqipërisë për 12 rekomandimet, por ka kërkuar angazhim nga të gjitha palët për pjesën e mbetur.

“Prioritet kritereve të mbetura. Klasa politike dhe të gjithë aktorët duhet të vazhdojnë kontributin”, është shprehur Nishani.

SHBA: Mundësi historike

Pas propozimit të Komisionit Europian, pak çaste më parë ka reaguar edhe
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që përmes një deklarate
thotë se mirëpret Raportin e Zgjerimit të BE-së që rekomandon miratimin e
statusit kandidat për Shqipërinë me kusht përmbushjen e reformave të
tjera kyçe.

Rekomandimi është dëshmi e politikave konstruktive të ndjekura nga të gjitha partitë politike gjatë vitit të kaluar dhe për këtë arsye përfaqëson një mundësi historike për shqiptarët.

Ne i mbështesim me forcë përpjekjet e Shqipërisë për integrim në BE dhe nxisim të gjitha palët të vazhdojnë të shpalosin bashkëpunimin e nevojshëm për të përfunduar dhe zbatuar reformat që mbeten pezull.

Rama: Shqiperia kalon me kushte provimin e vjeshtes

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama përmes rrjetit social Tëitter ka theksuar se provimi eshte kaluar me kushte dhe se vleresimet e Komisionit Europian perkojne me ato te ngritura nga opozita dhe vleresojne rolin e luajtur prej saj ne kete proces.

Sipas zotit Rama dita e sotme ka nje rendesi te vecante ne nje perpjekje te mundimshme ne opozite per te mos lene Shqiperine ne balte. Kryesocialisti e ka vene theksin edhe tek fakti se edhe Komisioni Europian e ka cilesuar te njeanshme zgjedhjen e Presidentit te Republikes Nishani.  

“Ne vitin 2013,- pohon lideri i opozites,- me fitoren e zgjedhjeve do te çlirojme procesin e integrimit duke hapur nje faqe te re per politiken shqiptare”.

Meta: Statusi, shans historik

Kreu i LSI, Ilir Meta ka përshëndetur rekomandimin e Komisionit Evropian për dhënien e statusit për Shqipërinë. Në një deklaratë të shkurtër për shtyp, Meta ka theksuar se kjo ngjarje është një histori suksesi dhe ka bërë thirrje që të mos ketë më vonesa.

“Në emër të LSI përshëndes rekomandimin e KE për vendin. Ky sukses të vijojë me përmbushjen e tre kritereve. Të plotësohen tre rekomandimet që në dhjetor të marrim statusin. Apelojmë që të mos vonohemi në këtë proçes”, ka thënë Meta.

Top Channel