Këshilli Bashkiak, zhurmë e gallatë

10/10/2012 01:00

Ka qënë më tepër një shfaqje estrade se sa një mbledhje e Këshillit Bashkiak ajo e të martës, pasi gjatë gjithë kohës opozita ka shkaktuar zhurmë në sallë dhe këshilltarët e djathtë të qeshura.

Kreu i grupit të këshilltarëve socialistë Aldrin Dalipi i ka kërkuar që në fillim Kryetarit të Bashkisë, Lulzim Basha të kërkonte ndjesë publike për anullimin e mbledhjes në  6 shtator, mbledhje e cila u tha se u anullua për shak se LSI  nuk bashkonte votat me PD për miratimin e vendimit  për sitemin e taksave dhe tarifave vendore, ku shtohej dhe taksa e përkohshme për lojrat e fatit dhe zhvendosja e tyre në zonën e ish-uzinës Autortraktori.

“Për sa kohë që veprohet me mentalitet bajraktarësh që Bashkia e Tiranës ka një pronar të vetëm i cili mund të veprojë si të dojë, madje mund ta thërrasë kur të dojë Këshillin Bashkiak sipas interesit të tij. Seanca e fundit e thirrur në datë 6 shtator ishte një akt i paprecedent. Ne kërkojmë në këtë sallë që të thirret urgjent kushdo qoftë përgjegjësi që ka vepruar në kundërshtim me cdo normë publike dhe të kërkojë ndjesë publike”, tha Dalipi.
 
Por edhe pse këshilltarët e majtë u ngritën në këmbë duke bërë zhurmë, zoti Basha ka vijuar të diskutojë në lidhje me cështjen e kazinove.

Këshilltari i majtë Gent Gazheli u shpreh se shpejtësia për të kaluar kete projekt-vendim pa një studim të mirëfilltë  ekonomik e strukturor pa konsultim me grupet e interesit ka të bëjë me spostimin e këtij biznesi nga qëndra në periferi për t’i hapur rrugë një biznesi tjetër  të klinetëve të pushtetit.

“Cështjen e kazinove, këtu ka tre mënyra për të vepruar: mund të votojmë pro të gjithë, mund të ndahemi në pro dhe kundër dhe mënyra tjetër është që për t’i ikur votës të cohesh në këmbë dhe të bësh zhurmë” tha Lulzim Basha.

Në zhurmë e rrëmujë ky projekt-vendim është miratuar vetëm me vota të këshilltarëve të mazhorancës.

Ndërkohë që opozita ndonëse ka qëndruar në sallë nuk ka ngritur kartonin as për të kundërshtuar dhe as për të miratuar asnjë nga projektvendimet e paraqitura në këtë mbledhje të Këshillit Bashkiak e cila monitorohej edhe nga përfaqësues të OSBE.

Top Channel