Sipas vlerësimit përfundimtar dhe zyrtar të Komisionit Europian, Shqipëria ka plotësuar katër prioritete që lidhen me funksionimin e Parlamentit, miratimin e ligjeve me 3/5, zgjedhjen e Avokatit të Popullit, dëgjimin dhe votimin në Parlament për institucione kyçe, si dhe ndryshimin e kuadrit ligjor për zgjedhjet.

Në raport-progres vlerësohet se vendi është në rrugën e plotësimit të dy prioriteteve të tjera kyçe që lidhen me administratën publike dhe përmirësimin e trajtimit të të paraburgosurve.

“Komisioni rekomandon dhënien e statusit kandidat në varësi të plotësimit të masave kyçe në fushat e reformave të gjyqësorit dhe administratës publike dhe rishikimit të rregullores së Parlamentit. Ne do të raportojmë sapo të arrihet mjaftueshëm progres i mëtejshëm, e në këtë raport Komisioni do të marrë gjithashtu parasysh përpjekjet e Shqipërisë për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”, deklaroi Shtefan Fyle, Komisioner për Zgjerimin në BE.

Sipas tij, “në mënyrë që të lëvizë drejt fazës tjetër e të hapë negociatat e anëtarësimit, Shqipëria duhet të dëshmojë në veçanti zbatim të qëndrueshëm të angazhimeve të marra tashmë prej saj  dhe plotësimin e prioriteteve kyçe të mbetura, të cilat nuk janë arritur ende”.

“Fokusi duhet të jetë në sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut. Dialogu politik i qëndrueshëm mbetet esencial për suksesin e proçesit të reformave dhe sjellja në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës do të jetë një test kyç në këtë aspekt dhe një parakusht përpara çdolloj rekomandimi të mundshëm të Komisionit për negociata”, theksoi Fyle.

Pas rekomandimit të kushtëzuar për statusin, që lidhet me votimin e disa ligjeve, për gjashtë prioritetet e mbetura që fokusohen më shumë tek zbatimi, vlerësohet se janë bërë disa hapa, ndërsa plotësimi i tyre, përfshirë zgjedhjet e vitit 2013, do të kushtëzojë tashmë çeljen e negociatave për anëtarësim.

“Një fokus i veçantë kërkohet për: zhvillimin e zgjedhjeve në përputhje me standartet europiane dhe ndërkombëtare; përforcimin e pavarësisë, efikasitetit dhe llogaridhënies së institucioneve gjyqësore; përpjekjet e vendosura në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë hetimet proaktive dhe ndjekjen penale; masat efektive për forcimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe politikave anti-diskriminim; dhe zbatimin e së drejtës së pronës”, saktësoi Fyle.

“Zhvillimi i suksesshëm i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 do të jetë një test thelbësor për angazhimin ndërpartiak dhe reformën e re zgjedhore dhe një parakusht për çfarëdolloj rekomandimi për çeljen e negociatave. Dialogu i qëndrueshëm politik dhe vijimi i përpjekjeve në të gjitha fushat e mbulura nga prioritetet kyçe do të mbetet thelbësor për zbatimin e reformave dhe garantimin e të ardhmes europiane të Shqipërisë”, nënvizoi komisioneri.

Paketa e zgjerimit, e cila u prezantua fillimisht nga komisioneri Fyle në Komitetin e Jashtëm të Parlamentit Europian, përmbante edhe raportin e fundit monitorues për Kroacinë, rekomandonte për të katërtin vit radhazi çeljen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë dhe për Kosovën, gjithashtu me kushte, nisjen e negociatave për Marrveshjen e Stabilizim Asociimit. Ndërsa i bën thirrje Serbisë për përmirësim të dukshëm të mardhënieve me Kosovën.

Rekomandimi për Shqipërinë u komentua në këtë mbledhje vetëm nga kreu i delegacionit për Ballkanin. “Dëgjova me shumë vëmendje kur ju thatë që t’i jepej vendit statusi kandidat. Për pak sa nuk fillova të duartrokisja. Por ju më pas thatë “në varësi të”. Gjithësesi, mendoj se ju keni të drejtë, kjo është mënyra më e mirë për të inkurajuar Shqipërinë, sepse shumë gjëra të mira janë bërë e do të ishte vërtet keq t’i dekurajonim ata”, tha Eduard Kukan.

Propozimi i Komisionit për status të kushtëzuar i kalon tashmë për shqyrtim vendeve anëtare,  të cilat për çështjet e zgjerimit duhet të vendosin në unanimitet gjatë Këshillit të BE-së, në Dhjetor të këtij viti. Marrja e statusit do të varet nga plotësimi i reformave të mbetura, por dhe nga gadishmëria e ndjeshmëritë e secilit vend anëtar të BE-së ndaj zhvillimeve në Shqipëri.


Pergatiti ARTA TOZAJ

 

Top Channel