Partia Socialiste nisi denoncimin e asaj që e quan dosje korruptive dhe të batërdisë me pronat e paluajtshme shtetërore në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Deputeti Taulant Balla tha se prej tre vitesh nën drejtimin e Arben Imamit, Ministër i Mbrojtjes, ushtria shqiptare është zhveshur pothuajse tërësisht nga pronat e paluajtshme në pronësi të saj.

“Përmes një procesi tërësisht jotransparent janë hequr nga administrimi i Ministrisë së Mbrojtjes, janë nxjerrë në privatizim, janë shitur me vlera qesharake objekte dhe troje të divizioneve, brigadave,  batalioneve, reparteve, depove të armatimit, poligoneve të qitjes, shtëpive të ushtarakëve. Pa asnjë ligj, duke anashkaluar tërësisht Kuvendin e Shqipërisë, në errësirë të plotë, Ministri i Mbrojtjes Arben Imami ka kryer dhe po kryen një proces zhvatjeje të pronave të ushtrisë shqiptare. Janë plot 17.114.493 metra katrorë objekte dhe troje prona të ushtrisë, të cilat Arben Imami po i tjetërson nga pronësia e shtetit dhe qytetarëve në drejtim të disa privatëve. Janë reparte ushtarake brenda vijës së verdhë të qyteteve: Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Elbasan, Korçë dhe pothuajse në çdo qytet të Shqipërisë. Janë reparte ushtarake, baza të rëndësishme, në të gjithë shtrirjen e bregdetit shqiptar si Bisht Palla, kalaja e Ali Pashës, tunelet e nëndetëseve, Shkolla e Marinës që do t’i jepen privatëve. Reparte ushtarake tek rëra e hedhur në Shëngjin, në bredetin e Kurbinit, në Durrës, në Kavajë, në Fier, në Vlorë: Novosela, Narta, Zvërneci, Pusi i Mezinit, Kanina, Uji i Ftohtë, Rradhima, Orikumi, Karaburuni; më poshtë Palasa, Jala, Porto Palermo, Himara, Lukova, Lekursi, Ksamili. Vetëm në Karaburun janë mbi 160 mijë metër katrorë, duke përfshirë Ravenën, Kepin e Gjuhëzës apo edhe depot në Orikum”, theksoi Taulant Balla.

Fare mirë një pjesë e pronave të ushtrisë që Arben Imami ka shitur dhe po shet, tha deputeti Taulant Balla, mund të përdoren për nevoja strehimi, për ambiente mësimore apo shërbim mjeksor, qendra sociale për femijët apo moshat e treta.

MM: Ne nuk shesim prona

Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se ky institucion nuk ka asnjë tagër ligjor për të shitur prona.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, akuzat e opozitës janë pjesë e një fushate dizinformuese.

“Në përgjigje të fushtës dezinformuese të Partisë Socialiste, Ministria e Mbrojtjes, sqaron opinionin publik se nuk shet dhe nuk e ka në tagrin e saj ligjot shitjen e pronave që ka në administrim. Minstri i Mbrojtjes as nuk vendos e as nuk heq prona nga ky plan i përhapjes. Pronat që nuk u nevojiten forcave të armatosura në plotësimin e misionit të tyre kushtetues u nënshtrohen procedurave ligore të tjetërsimit. Së pari tranferimin e tyre pranë pushtetit vendor ose institucioneve të ndryshme me VKM, bazuar në kërkesën e këtyre te fundit. Numri i pronave tranferuar nga 2003 deri në 2012 sipas kërkesave të këtyre procedurave është 71. Së dyti, një pjesë e pronave të tepërta i kanë kaluar AKKP-së për dëmshpërblimin fizik të pronarëve. Ministria e Financave është organi përgjegjës për realizimin e procedurave të shitjes së pronave. Ministria e Financave nga raportimet e deri tanishme na rezulton se në total janë shitur 23 prona nga të cilat 70 përqind e tyre janë përfituar nga ish-pronarët. Nga viti 1992-2012 janë nxjerrë jashtë përdorimit 1006 prona. Nga këto nga 2009 e sot janë nxjerrë jashtë përdorimit vetëm 68 të tilla të cilat janë kryesisht depo municionesh etj.”, deklaroi zëdhënësi i MM, Edvin Kulluri.
 

Top Channel