Avokati i Popullit ka përshëndetur miratimin në Këshillin e Europës të rezolutës për përkufizimin e të burgosurit politik, ndryshe nga delegacioni shqiptar i cili votoi kundër tij.

Në kohën kur në Shqipëri vijon greva e të burgosurve politikë, delegacioni shqiptar i përfaqesuar nga deputetët Kastriot Islami, Lajla Përnaska dhe Shpëtim Idrizi ka qenë në unison me qëndrimin e Azerbajxhanit, Rusisë, Turqisë dhe Spanjës, që lobonin për mos miratimin e këtij ligji. E megjithatë, ai u miratua me 100 vota pro, 64 kundër dhe 12 abstenime.

“Kjo rezolutë parashikon të drejtat themelore, në mënyrë të veçantë atë të lirisë së mendimit, besimit fetar, të shprehjes dhe organizimit. Avokati i Popullit ka mbështetur dhe promovuar përqafimin e standarteve ndërkombëtare në politikën shqiptare. Prandaj, Avokati i Popullit mbështet vendimet e strukturave evropiane që shërbejnë për të drejtat e qytetarëve”, deklaroi zëdhënësja Elona Demollari.

Lidhur me votimin kundër ka reaguar edhe deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili ka deklaruar se deputetët shqiptarë të pranishëm në seancë duhet të japin sqarime për votën e tyre.

Edhe Aleksandër Biberaj, që aderon në radhët e FRD-së, ka kritikuar deputetët shqiptarë që votuan kundër, veprim që sipas tij e ka renditur Shqipërinë përkrah vendeve të ish-bllokut sovjetik.

“Bashkimi i votave me Rusinë e pozicionin Shqipërinë me bllokun lindor ish-sovjetik. Votat e Rusisë dhe Azerbajxhanit në KiE kanë qenë gjithmonë kundër interesave shqiptare. Votat e Rusisë dhe Azerbajxhanit në KiE kanë qenë kundër pavarësisë së Kosovës”, ka deklaruar Biberaj.

Ish-nënkryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka shtuar më tej se, vota shqiptare në KiE ka qenë fryt i pazareve të kryeministrit shqiptar me Azerbajxhanin.

Top Channel