Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje kreut të opozitës Edi Rama që të heqë dorë nga ajo që ai e cilësoi si “pozicion bllokues” për të ardhmen europiane të vendit.

Pjesëmarrës në panairin tradicional me variete të mollëve dhe gatimeve nga ky frut karakteristik i komunes Mollaj në Korçë, kryeministri Berisha ftoi zotin Rama të heqë dorë nga “pazaret” me integrimin e vendit dhe i propozoi një zgjidhje për zhbllokimin e situatës në qarkun e Fierit.

Një çeshtje me të cilën Partia Socialiste ka lidhur qëndrimin e saj për të mos votuar ligjet me 3/5-at, pjesë e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian për Shqipërinë.

“E vërteta është se një grup jo i vogël i këshilltarëve të tij kanë kaluar në anën e mazhorancës, absolutisht me vullnetin e tyre të plotë të lirë. A keni dëgjuar ju që unë t’i kërkoj atij Paulinin, i cili kaloi nga grupi im parlamentar në grupin e tij parlamentar? E ftoj dhe e pyes kryetarin e PS-së: përse nuk e vendos në mocion mosbesimi kryetarin aktual në Fier? Kjo ndodh sepse nuk ka vota. Ndaj i them, mos blloko se shqiptarët nuk meritojnë t’i bllokojmë. Zhbllokoje atë votim, të marrim statusin që na takon, të shkojmë drejt zgjedhjeve, të angazhohemi para jush dhe të gjithë shqiptarëve me burrëri  e dinjitet për zgjedhje të lira e të ndershme dhe të respektojmë vendimin tuaj suprem”, deklaroi Berisha.

Çështja e integrimit të vendit dhe asaj që ai e cilëson si bllokim me dashje nga ana e opozitës, ishte një nga pjesët e fjalimit të kryeministrit Berisha pas inaugurimit të një shkolle të rikonstruktuar në komunën Mollaj.

“Më thoni ju, të dashur nxënës, nëse 3-4 nxënës nga klasa do të ngriheshin në mes të orës së mësimit dhe të iknin pa pyetur fare prej saj, çfarë përshtypje do të bënin te ju? Do të ishte një gjest i papërgjegjshëm. Ky akt ndodh çdo ditë në Parlament, vetëm  e vetëm që të tregojnë se ne nuk meritojmë statusin. Unë shpreh respektin tim për ju dhe për prindërit tuaj dhe le t’u thoni atyre se për ju, përparësi kryesore ka ëndrra evropiane. Zgjedhjet po vijnë, me votën e tyre ata le të votojnë për ju, le të votojnë për ëndrrën tuaj evropiane”, u shpreh Berisha.

Duke e vënë theksin tek përpjekjet e qeverisë së tij për të modernizuar infrastrukturën e shkollave, kryeministri Berisha tha se etapa e dytë e këtij objektivi madhor është gara per cilësinë në arsim dhe se qeveria e tij do të synojë në mandatin e ardhshëm të përshtasë per arsimin shqiptar modelet më të mira të Evropës dhe të botës.

Shamku: Berisha dhunon fëmijët

Deputetja e Partisë Socialiste, Ledi Shamku ka reaguar sërish ndaj deklaratës së kryeministrit Berisha para nxënësve të shkollës, ku ai bëri edhe një ofertë për zgjidhjen e çështjes së Fierit.

“Ky skandal i Berishës kalon përmasat e çdo ligji e kodi. Ai po i abuzon ata që çdo shoqëri e familje i ka të shenjtë e të paprekshëm, fëmijët”, ka deklaruar Shamku.

Deputetja është shprehur se, PS është e bindur se prindërit shqiptarë e lexojnë fare qartë këtë shprehje anormale të Berishës.

“Është një shprehje imorale e Berishës dhe ministrave të tij. Berisha, duke mbajtur nën diell nxënësit, i ka sjellë në mëndje çdo qytetari regjimin të cilit ai i shërbeu si sekretar partie”, ka shtuar Shamku.

Top Channel