Pas akuzave të bëra nga deputeti socialist Erion Braçe, ministri i Mbrojtjes Arben Imami ka vizituar kombinatin ushtarak të Poliçanit.

Drejtuesit e kësaj njësie i kanë shpjeguar ministrit shifrat e demontimit të armëve dhe depozitimin e skrapit. Ndërsa ministri Imami ka lëshuar akuza ndaj deputetit socialist Erion Brace.

“Ne do vazhdojmë, por zoti Braçe duhet t’u kërkojë falje qytetarëve. Ministria e Mbrojtjes ka bërë një punë të shkëlqyer, të orjentohemi drejt së ardhmes”, deklaroi Imami.

Një grup ish-punëtorësh të uzinës kanë kërkuar të takohen me ministrin, por janë penguar. Më pas një specialist demontimi i mbetur pa punë deklaroi se në uzinë nuk ka asnjë punonjës nga qyteti i Poliçanit.

Ndërkohë, një grup deputetësh socialistë, Namik Dokle, Ermonela Felaj dhe Fidel Ylli kanë qenë gjithashtu në Poliçan dhe kanë lëshuar sërish akuza ndaj Imamit.

“Shkatërrohen kombinatet, bujqësia dhe ekonomia vetëm për të pasuruar klanin politik të Berishës dhe rrethit të tij ministror”, deklaroi deputeti Dokle.

Ndërsa kryebashkiaku i Poliçanit, Adriatik Zotkaj deklaroi se uzina po shkatërrohet për skrap. “Është e vetmja qeveri, i vetmi ministër që po shkatërron këtë kombinat, duke shitur makineritë që s’kanë të bëjnë fare me demontimin e fishekëve”, tha Zotkaj.

Qyteti i vogël i Poliçanit është kthyer në qendrën e debateve politike dhe shkak është bërë demontimi i municioneve dhe skrapi që po nxirret aty, një biznes shumë fitimprurës për njerëzit pranë politikës.

Top Channel