Turqi, parlamenti aprovon sulmet ndaj Sirisë

04/10/2012 15:15

Parlamenti i Turqisë autorizoi ushtrinë vendase që të godasë përtej kufirit Sirinë, në kundërpërgjigje të goditjes aksidentale të një qyteti turk nga predhat e ushtrisë siriane.

Pesë shtetas turq mbetën të vrarë dhe dhjetë të tjerë u plagosën ditën e mërkurë, pasi zjarri i mortajave ra mbi disa shtëpi në qytetin e Akçakales.

Ushtria turke u përgjigj në mënyrë pothuajse të menjëhershme me zjarr artilerie këtij incidenti, duke qëlluar objektiva të përzgjedhur ushtarak brenda territorit sirian.

Në vazhdim, pas një mbledhje të jashtëzakonshme të NATO-s dhe mbështetjes së qartë të marrë nga Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, Parlamenti Turk miratoi pak pas mesditës me 320 vota pro dhe 129 kundër aprovimin për të zhvilluar operacione ushtarake përtej kufirit.

Ligji i ri autorizion ushtrinë turke që të realizojë operacione ushtarake në Siri, nëse do të jetë nevoja, për një periudhë 1-vjeçare.

Ndërsa konflikti po përshkallëzohet, Rusia doli edhe një herë më shumë në mbështetje të aleatëve sirianë, duke bërë një thirrje për të mos lejuar që “një gabim të shndërrohet në një preteks për më shumë dhunë dhe gjakderdhje”.

Qyteti i Akçakales, i ndodhur pranë kufirit, u qëllua nga predha që duhet të godisnin prapavijën e kryengritësve, të cilët marrin një mbështetje të fuqishme nga Turqia dhe si rrjedhojë, mbyllja e kufirit verior për të zënë në kurth rebelët është shndërruar në një taktikë të regjimit të Al-Assad.

Aktualisht, Turqia strehon rreth 100 mijë shtetas sirianë, të larguar nga lufta civile në vend, ndërsa kryeministri Erdogan dhe Ankaraja zyrtare janë shndërruar ndër kundërshtarët më të ashpër të regjimit të Bashar al-Assad.

Më parë gjatë vitit, një avion ushtarak turk u qëllua nga artileria anti-ajrore siriane në rrethana të paqarta, duke shkaktuar humbjen e jetës së dy pilotëve.

Atëherë, Turqia reagoi në mënyrë të ashpër, duke paralajmëruar Sirinë për “kundërpërgjigje serioze dhe të menjëhershme”, nëse sovraniteti dhe territori turk do të cënoheshin sërisht.

Top Channel