Vlorë, pranga për dy pronarë anijesh

01/10/2012 00:00

Kontrabanda e naftës nëpërmjet Portit të Vlorës ka çuar në sekuestrimin e
një anijeje, arrestimin e administratorit të saj dhe të pronarit të një
anijeje tjetër.

Bashkë me ta, në pranga ka përfunduar një punonjës policie kufiri, si dhe një tregtar karburantesh, ndërkohë që vetëm të dielën janë kapur 20 tonë naftë, që po tentohej të futej kontrabandë në tregun e qytetit bregdetar.

Ndërkaq, hetimi për kapjen e tyre kishte nisur gjashtë muaj më parë, ku dyshohet se të përfshirë në këtë linjë kontrabande ka edhe punonjës të doganës.

Arrestimet

Operacioni i goditjes u krye dy net më parë, gjatë të cilit u arrestuan shtatë persona. Sipas të dhënave, rreth orës 22.00 të së shtunës, Sektori Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Policisë së Vlorës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit, finalizoi operacionin e koduar “Deti i Pastër”.

Nga dosja nr. 558 e këtij viti, e regjistruar në Prokurorinë e Vlorës, mësohet se kjo goditje erdhi pas një hetimi gjashtëmujor për veprën penale të “kontrabandës me mallra që paguhet akcizë, kryer në bashkëpunim”, që lidhej me kontrabandën e naftës së importuar me anije nga Greqia dhe Italia.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se veprimtaria kryhej kryesisht nga anijet që përdoreshin për gjuetinë e peshkimit, që e shisnin sasinë e naftës së importuar në kundërshtim me procedurat doganore dhe aktet e tjera normative në fuqi, ku për pasojë kanë sjellë dëme të konsiderueshme monetare të shtetit. Në këto kushte, policia arrestoi administratorët e dy anijeve, punonjësit e njërës prej saj, një tregtar karburantesh dhe një punonjës policie.

Sipas të dhënave, policia ka ndërhyrë në momentin që nafta po shkarkohej nga anija “Valbona” për në një cisternë e adaptuar brenda një furgoni. Në këto kushte, veç arrestimeve të kryera, policia sekuestroi anijen “Valbona”, rreth 20 tonë naftë, dy automjete, me të cilat transportohej nafta nga anija për në pikat e shitjes.

Mekanizmi

Të dokumentuar me filmime gjatë vëzhgimit të policisë dhe me dokumente, policia ka mundur të zbardhë edhe mekanizmin e kontrabandës së naftës nëpërmjet Portit të Durrësit.

Burimet nga grupi hetimor shprehen se sipas ligjit, anijet që merren me peshkim nuk paguajnë taksat për karburantit, pasi presupozohet se ai përdoret për nevojat e tyre. Por, administratori i anijes “Valbona”, sipas hetimeve, ka blerë naftë me 70 lekë dhe e ka futur në tregun vendas, pa paguar detyrimet doganore. Për shitjen e karburantit mendohet se e ka ndihmuar tregtari i arrestuar bashkë me të.

Ndërkohë, nëpërmjet punonjësve të doganës, që janë nën hetim dhe të punonjësit të policisë, i arrestuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, ai mendohet se e ka kaluar naftën e kontrabanduar në port, pa iu nënshtruar kontrolleve. Madje, për këtë veprim, që mos të dallohej as nga të tjerët, ata kishin përshtatur një cisternë brenda një furgoni. Të njëjtin veprim dyshohet se ka kryer edhe biznesmeni tjetër, pronar i anijes “Maria Pija”, që mendohet se para katër ditëve ka importuar një tjetër sasi nafte kontrabandë nëpërmjet Portit të Durrësit. Megjithatë, Prokuroria e Vlorës tha se vazhdojnë hetimet për këtë vepër penale, që ka sjellë dëme të konsiderueshme ndaj shtetit shqiptar, ku priten arrestime të tjera.

Top Channel