Pleqëri e varfër dhe e braktisur

01/10/2012 00:00

Edhe pse kanë punuar një jetë të tërë, një pjesë e të moshuarve duhet t’i përballojnë vitet e pleqërisë të vetëm dhe me të ardhura minimale.

Të moshuarit shprehen se ata janë të parët që vuajnë nga kriza institucionale që ka përfshirë sistemin shëndetësor dhe atë social.

Në Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve, ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik theksojnë se një pjesë e madhe e tyre nuk kanë mundësi të blejnë ilaçet, kanë nevojë emergjente për qendra ku të marrin shërbime të ndryshme, dhe të kenë më tepër akses në shërbimet shëndetësore dhe sociale.

Në këtë ditë kur vëmendja e të gjitha institucioneve drejtohet tek të moshuarit, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë kanë ngritur dy pika depistimi, për diabetin dhe hipertensionin, dy nga sëmundjet që prekin më shumë të moshuarit.

Një pjesë e madhe e tyre është drejtuar në këto pika, ku është promovuar ideja se të parandalosh një sëmundje kushton më pak dhe shpërblen më shumë sesa të mjekosh.

Një pjesë e madhe e të moshuarve kanë apeluar për hapjen e qendrave komunitare ku të mund të ofrohen shërbime të ndryshme për këtë shtresë të popullsisë, e cila po vuan jo vetëm tranzicionin, por edhe krizën ekonomike dhe atë të familjes.

Top Channel