PS: Serbët në Ministrinë e Mbrojtjes

29/09/2012 00:00

Tregtarët serbë të armëve janë të preferuarit e Ministrisë së Mbrojtjes
në shitjen e armatimeve të tepërta që ka Ushtria Shqiptare dhe qe kapin
vlerën  e 200 milionë dollarëve.

Ky është denoncimi i radhës që PS bëri nëpërmjet deputetit Erion Brace, i cili duke iu referuar dokumentave zyrtarë, zbuloi  këtë partneritet të fortë dhe dominues siç e quajti ai.

“Ka nje komision të posaçëm per kategorizimin e e kontigjentit te armeve, teknikes, pajisjeve, municioneve dhe lendeve plasese te hequra nga perdorimi.Ai drejtohet nga dy njohje te vjetra per çdo ushtarak dhe per çdo shqiptar qe ka ndjekur me vemendje ekspozimin dhe angazhimin e tyre ne çeshtje shume sensitive per Shqiperinë.  Kryetar, kunderadmiral Kristaq Gerveni, Zv Kryetar- Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi, funksione keto te mbajtura nga 2010 deri ne fund te 2011, periudhe te ciles po i referohem. ‘Torta’ e madhe e pasurise se Ushtrise, veçanerisht gjate viteve 2010, 2011 e ne vijim eshte ndare mes 3 kompanive. E para, ‘Montenegro Defence Industry’, e dyta, ‘UNIMESCO’, e treta, ndermarrja shteterore ‘MEICO’. Dy kompanite e para kane krijuar duopolin e forte, nisur nga sasite e kontraktuara dhe vlera e tyre. Disponueshmeria e Ministrise se Mbrojtjes ndaj tyre ka qene shume e forte, madje me shkrim, e dokumentuar”, tha Braçe.

Por cili është ‘backgroundi’ i këtyre kompanive të cilave i është dhënë drita jeshile duke tregtuar materialet e teperta te Ushtrisë Shqiptare, të cilat siç tha deputeti Braçe, janë pjesë e pasurisë kombëtare?

“Kompania ‘Montenegro Defence Industry’ eshte dega malazeze e te famshmes ndermarrje te madhe serbe ‘YGOIMPORT’.Sic rezulton nga dokumentat shtetasi Zoran Damjanovic eshte pesoni qe i perfaqeson te dyja kompanite si shoqeri tregtare, por edhe ne marredhenie me Ministrine e Mbrojtjes dhe ‘MEICO-n’ Nga nje kerkim i thjeshte rezulton se ‘MDI’ ka pasuar nje tjeter kompani qe operonte rende ne tregtine e armeve e municioneve ne Ballkan, ‘TARA-n’. Tek ‘TARA’ i gjeje te gjithe, nga emrat me te permendur te trafikut te armeve ne bote deri tek lidhjet mes kompanive qe te sjellin ne transaksionin qe i parapriu e me pas u zbulua me Gerdecin. Kompania ‘UNIMESCO’ eshte me e njohur per ju per shkak te skandalit qe shpertheu ne menyre sporadike muaj me pare e qe tani, nen driten e dokumentave zyrtare rezulton i provuar, si konflikt i paster interesi i zyrtareve me te larte te Ministrise se Mbrojtjes, favorizim per kete shkak ne mallra e çmime ne nje seri kontratash, mbyllje sysh ne dokumentacionin e pamjafte ne raport me kerkesat strikte te ligjit”, tha deputeti socialist.

Sipas Erjon Braçes ky aktivitet ku serbët janë zgjedhur si partnerë në shitblerjen e armëve nga Ministria e Mbrojtjes mbart një mori problematikash.

“Leshimin e kesaj pasurie tek nje marredhenie shume e forte, dominuese  me tregtare serbe te perfshire dhe pjesëmarres ne linjat me te erreta te tregtise  se armeve; korrupsionin ne percaktimin e çmimeve te armeve, municioneve, eksploziveve te ndryshme e favorizuese per kompanite e mesiperme, madje dhe ne raport me vete kompanine shteterore ‘MEICO’. Ne kete pike, ja vlen te pyesesh: A e ka ndjekur apo hetuar kete marredhenie Sherbimi Informativ Ushtarak?’ thote Braçe.

Reagon ministria: PS, baltë mbi reformat

Ministria e Mbrojtjes i është përgjigjur sërish akuzave të deputetit socialist Erjon Braçe, për abuzime me pasuritë ushtarake të Shqipërisë. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e këtij dikasteri ka deklaruar se Partia Socialiste po përpiqet të hedhë baltë mbi proçeset reformuese të qeverisë në sektorin ushtarak.

“Ne po përpiqemi të bëjmë demontimin e armatimeve që na i la trashëgimi qeveria kriminale e zotit Braçe. Pastrimi i Shqipërisë nga mbeturinat e komunizmit do të bëhet, do apo s’do zoti Braçe”, ka deklaruar zëdhënësja.

Ajo ka theksuar se, përpjekjet e PS për të penguar reformat në Forcat e Armatosura do të marrin përgjigjen e merituar. “Publikimi i dokumenteve që përbëjnë sekret shtetëror është vepër kriminale, përgjegjësi që ky zotëri e merr përsipër”, ka nënvizuar zëdhënësja.

“Ministri i Mbrojtjes është i vendosur të çojë përpara reformat në Forcat e Armatosura dhe çdo përpjekje për të hedhur baltë mbi to është një përpjekje anti-kombëtare”, ka vijuar ajo.

Top Channel