Kremtohet 950-vjetori i dioqezës së Sapes

29/09/2012 00:00

Në qytetin e Vaut të Dejës, në Shkodër, është kremtuar 950-vjetori i dioqezes katolike të Sapes. Në këtë vend është një nga kishat më të vjetra në Shqipëri.

Në ceremoninë dhe meshën e mbajtur në katedralen Nënë Tereza ka marrë pjesë një delegacion nga Selia e Shenjte, i kryesuar nga i dërguari i posaçëm i Papa Benediktit XVI, kardinali Santos Abrily Castello.

Gjithashtu, të pranishëm ishin edhe kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Kryeministri Berisha në fjalën e tij vlerësoi selinë e shenjtë të Vatikanit si një ndër aleatët kryesorë të Shqipërisë përgjatë historisë dhe se besimtarët shqiptarë janë besimtarët më të mirë në botë, pasi respektojnë besmin e njëri-tjetrit.

“Vullneti shpirtëror, por dhe besime të tjera, gjatë këtij 100-vjetori kanë kaluar kalvare të jashtëzakonshme. Por vijmë sot më të fuqishëm, më të vendosur se kurrë për të udhëhequr shqiptarët me mësimet e Zotit”, deklaroi Berisha.

Kryeministri u premtoi besimtarëve të Vaut të Dejës se në shenjë nderimi do të ndërtohet kisha e Shën Mërisë, e cila ishte monumenti më i vjetër i kishës shqipatre dhe që u shkatërrua nga ndërtimi i digës në Vaun e Dejës.

I dërguari i posaçëm i Papës, kardinali Santos Abrily Castello, i cili drejtoi meshën e rastit, lexoi dhe mesazhin që Bendikti i 16-të u përcolli shqiptarëve, ku binte në sy falenderimi i Papës drejtuar besimtarëve për tolerancën dhe bashkëjetesën fetare që ka Shqipëria.

Top Channel