Tiranë, sherr me armë mes të rinjve

28/09/2012 00:00

Të shtëna me armë janë verifikuar në orët e fundit tek zona e Porcelanit, në Tiranë, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur 3 persona.

Burime policore zyrtare bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në një lokal, pas një sherri verbal mes disa të rinjve që ka degraduar në armë.

Sipas burimeve, dy nga të plagosurit janë identifikuar si shtetasit Bledi Haka dhe Shaqir Shtishi. Forcat e policisë po hetojnë rreth krimit.

Më herët, dy policë specialë dhe një shofer autobusi morën plagë në trup dhe në kokë për shkak të një sherri masiv të nisur pranë ish-pastiçerisë “Flora”.

Ngjarja ndodhi në orët e paradites, kur dy efektivë të skuadrës speciale të policisë së Tiranës ishin duke lëvizur me automjetin e tyre tip “BMW”.

Gjatë lëvizjes, mjeti i tyre u fërkua me autobusin që transportonte punëtorët e një kompanie pijesh freskuese me targa “TR 3720 F”.

Ndërsa krimi më i rëndë i ditëve të fundit ishte ai në fshatin Piraj të Lezhës, ku vëllai qëlloi më armë zjarri vëllanë.

Shtetasi Gjin Marku, 47 vjeç, reagoi me armë për shkak se në kullotën e tij hynë bagëtitë e te vellait më të madh, Pjetër Marku.

Top Channel