Dy policë specialë dhe një shofer autobusi kanë marrë plagë në trup dhe
në kokë për shkak të një sherri masiv të nisur prej pranë
ish-pastiçerisë “Flora”. 

Ngjarja ka ndodhur në orët e paradites, kur dy
efektivë të skuadrës speciale të policisë së Tiranës ishin duke lëvizur
me automjetin e tyre tip “BMW”.

Gjatë lëvizjes, mjeti i tyre është fërkuar me autobusin që transporton punëtorët e një kompanie pijesh freskuese me targa TR 3720 F.

Nga mjetet mësohet se janë shkëmbyer fjalë fyese dhe të shara. Automjeti BMë ka ndjekur autobusin deri në sheshin para ish-kafe “Flora”, ku ai po zbarkonte pasagjerët.

Efektivët e operacioneve speciale kanë dalë nga mjeti i tyre dhe kanë nisur të debatojnë dhe të përfshihen në konfrontim fizik me shoferin e autobusit dhe persona të tjerë që gjendeshin me të.

Nga grindja janë thyer thuajse të gjithë xhamat e autobusit. Në këto momente kanë ndërhyrë, edhe shoferi me fatorinon e autobusit të linjës Kamzë-Tiranë, me targa AA 855 BN, që ndodhej aty për të ndarë sherrit, pa e ditur se do të bëhej palë në sherr.

Shoferi i autobusit të Kamzës ka marrë plagë të rënda nga goditjet në kokë, ndërsa në ato momente kanë mbërritur dhe shërbimet e Komisariatit numër 3 të Tiranës.

U është dashur të kalonin disa minuta që policët e komisariatit të mësonin që kishin të bënin edhe me kolegët e tyre të operacioneve speciale.

Policia shoqëroi të gjitha palët, ndërsa pritet të ngrihet akuzë ndaj një efektivi të operacioneve speciale dhe drejtuesit të autobusit të kompanisë së pijeve freskuese.

Prokuroria, proçedim penal dy policëve

Për dy uniformat e policisë të përfshirë në një konflikt me drejtuesin e një autobusi të linjës Kamëz-Tiranë nisi proçedimi penal.

Sipas një njoftimi të drejtorisë së policisë së kryeqytetit, për policët Ergys Hoxha dhe Genci Kongjoni, me detyrë në njësinë operacionale të kryeqytetit do të hetohen pasi në konfliktin në rrugën e Durrësit ata përdorën edhe armët.

Ata kërkuan të ndalonin një autobus i cili goditi makinën e tyre. Thirrjes së tyre drejtuesi i mjetit nuk iu përgjigj dhe ndaloi vetëm në stacionin e autobusëve të Kamzës.

Policët, në ndjekje për të kapur shoferin Martin Curri, i cili e braktisi mjetin për t’u fshehur, krijuan panik tek udhëtarët.

Policia tha se u ndalua edhe 64-vjeçari Martin Curri, i cili do të proçedohet penalisht për përfshirje në konflikt dhe për agresion ndaj unifromave blu.

Prokuroria e Tiranës e ka rregjistruar këtë proçedim penal për të tre personat nën hetim, me akuzën e plagosjes me dashje. 

Top Channel