Ksamil,problem me rrënojat e objekteve të shkatërruara

27/09/2012 00:00

Komuna e Ksamilit po bashkëjeton prej rreth 2 vitesh me rrënojat e 256
objekteve të shkatërruara në këtë zonë nga Inspektoriati Ndërtimor
Kombëtar.

Prishja që përfshiu atëherë të gjitha ndërtimet e ngritura pas shtatorit të vitit 2007 vazhdon të mbajë të zënë rreth 7000 metër katrorë hapësirë publike në Ksamil. Komuna bën me dije se edhe ky sezon turistik ka pasur të njëjtin imazh si 2 vitet e kaluara pasi nuk ka asnjë mundësi finaciare për zhvendosjen e inerteve.

Pastrimi i territorit prej një obekti të vetëm, kërkon rreth 300-400 mijë lekë të reja. Nga ana tjetër Inspektoriati Ndërtimor Kombëtar ka paralajmëruar një tjetër aksion prishjesh në Ksamil, të cilin komuna e ka kundërshtuar nën pretendimin se po shkatërrohet mjedisi i qytezës pa asnjë plan paraprak për zhvendosjen e mbetjeve.

Aksioni i ri i prishjeve pritet të prekë sipas vlerësimeve paraprake objekte me konstruksion të lehtë dhe të cmontueshëm dhe mole  buzë detit. Keto objekte  sipas autoriteteve lokale kanë qenë pjesë e infrastrukturës turistike dhe  pritet të legalizohen prej komunës sapo kësaj të fundit ti dorëzohet certifikata e pronësisë për pronat që I janë njohur në qershor të vitit 2011.

Nga ana tjetër ligji ngarkon pronarët e objekteve të palishshme që të kryejnë zhvendosjen e inereteve pas shembjes por deri tani për ta nuk janë aplikuar sanksione.Disa prej ish pronarëve kanë filluar të shembin vetë godinat e tyre për të përfituar hekurin apo dhe për të krijuar hapësira të lira që shpresojnë t’i kthejnë në ndërtime të legalizuara në të ardhmen, por shumica e rrënojave janë kthyer në qendra infeksionesh dhe plehrash.

Ato paraqesin rrezik shembje dhe janë kthyer në kërcënim për banorët. Komuna bën të ditur se që pas shembjes së këtyre objekteve nuk është dhënë asnjë leje ndërtimore dhe se harmonizimi i ndërtimeve në Ksamil kërkon një plan të mirëfilltë afatgjatë urban.Në Ksamil ka qindra objekte të tjera që vështirësojnë  manaxhimin urban por qe u legalizuan sipas një kriteri qesharak, faktit se ishin ndërtuar pa leje para shtatorit të vitit 2007.

Top Channel