Vlorë, zbardhet vrasja, pranga autorëve

26/09/2012 00:00

Policia e Vlorës ka zbardhur një vrasje të ndodhur 2 muaj më parë në
fshatin Shushicë, duke vënë në pranga edhe dy autorët e dyshuar të
ngjarjes. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në 30 korrik të këtij
viti, kur 26-vjeçari Leonard Latifaj, u gjet i vrarë me një plumb në
kokë nga disa bashkëfshatarë të tij.

Burimet zyrtare nga Drejtoria e policisë së qytetit bregdetar kanë deklaruar se: “në vijimësi të hetimeve është bërë e mundur kapja dhe ekzekutimi i urdhrave të ndalimit për dy bashkëautorët e tjerë të kësaj vrasjeje, të cilët janë shtetasit: Erland Zenka, 24 vjeç dhe Florian Hataj, 23 vjeç 23, të dy banues në fshatin Risili, komuna Llakatund”. I njëjti burim ka saktësuar se ngjarja ka ndodhur gjatë provave për shit-blerjen (trafikimin) e një arme zjarri. “Në lidhje me ngjarjen e mësipërme nga Strukturat Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë Qarku Vlorë është gjetur dhe sekuestruar arma e krimit si dhe janë kryer hetime dhe janë siguruar të tjera prova shkencore për përfshirjen e tyre kryerjen e këtij krimi. Materialet procedurale ju referuan Prokurorisë për veprën penale ‘Vrasje me dashje’ e kryer në bashkëpunim dhe ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit’”,- thuhet në njoftimin e policisë së Vlorës.

Trupi i pajetë i 26-vjeçarit Leonard Latifit, banor i fshatit Shushicë në Vlorë, u gjet mëngjesin e datës 30 korrik, disa orë pasi ishte larguar pa lënë asnjë shenjë. Nga këqyrja e kufomës rezultoi se i riu ishte qëlluar një herë me armë zjarri, nga një distancë e afërt. Një ditë pas ngjarjes, policia e Vlorës ndaloi njërin prej bashkëautorëve të dyshuar në vrasje, 17-vjeçarin me inicialet R.Rr.

Top Channel