Mbrojtja nga ndotja detare

26/09/2012 00:00

Ndotjet detare dhe rreziku që ato sjellin në mjedis kërkojnë ndërhyrje të shpejta nga autoritetet, veçanërisht roja bregdetare, me qëllim shmangien e pasojave.

Në kuadër të bashkëpunimit rajonal për mbrojtjen mjedisore po zhvillohet në vendin tonë stërvitja rajonale e anti-ndotjes “Adriatik 12”.

Një situatë ndotjeje u improvizua në det të hapur, në prani të autoriteteve ushtarake, përfaqësuesve të pushtetit qendror e vendor, rreth 10 milje larg Durrësit.

Stërvitja zhvillohet me pjesëmarrjen e anijeve të Rojes Bregdetare të Shqipërisë, Kroacisë, Italisë, Malit të Zi dhe Sllovenisë. Greqia dhe Bosnje-Hercegovina marrin pjesë si vëzhgues në këtë aktivitet ushtarak me karakter civil.

Stërvitja ka si objektiv rritjen dhe zhvillimin e bashkëpunimit rajonal përsa i përket veprimtarisë së rojës bregdetare dhe parandalimit të ndotjes në detin Adriatik dhe atë Jon.

Në këtë mënyrë kontribuohet në mbrojtjen e shëndetit të njerëzve, mjedisit dhe ekosistemeve nga pasojat që mund të shkaktojnë ndotjet në det, qofshin në thellësi apo në afërsi të bregut.

Top Channel