Në shkollat e vendit mjedisi po bëhet gjithnje e më i dhunshëm. Grupet e
adoleshentëve që konfrontohen mes tyre përdorin deri edhe sende të
forta, duke prodhuar situata të pamenaxhueshme nga mësuesit.

Të rinjtë thonë se shkak i grindjeve të dhunshme është një shtyrje në korridor, një fjalë e thënë më shumë në ambientet e shkollës apo në rrjetet sociale, përplasja për vajzat. Shpesh këto grindje kanë degjenuar në përplasje me thika apo pistoleta.Grindjet ndodhin mes meshkujve, por edhe mes vajzave. Nxënësit thonë që duhen shtuar masat e sigurisë, qoftë në hyrjen e shkollës, por edhe në ambientet brenda ndërtesës.

Të vendosur përballë situatave të vështira për të vënë rregull mes të rinjve, shpesh shumë të dhunshëm, mësuesit dhe drejtuesit e shkollave i shmangen prononcimeve për median.

Vetem ne gjimnazin ‘Sami Frasheri’, mundëm të kontaktojmë me drejtoreshën e kësaj shkolle, e cila thotë për Top Channel se zgjidhja e vetme, për të evituar dhunën fizike mbetet forcimi i bashkëpunimit, mes të rinjve, prindërve të tyre dhe mësuesve.

Psikologia e kësaj shkolle Valbona Treska tregon se grindjet nisin për shkaqe fare të vogla, kryesisht ‘Facebook’, vajzat dhe të qenit në qendër të vëmendjes.

“Në një pjesë të rasteve shkak janë vajzat, xhelozia e meshkujve për një vajzë të caktuar. Mjafton një element shumë i vogël për të shpërthyer pastaj në dhunë fizike dhe verbale. Ne thërrasim prindërit e personave që janë përfshirë në këtë episod dhune dhe merret një masë disiplinore. Në momentin që prindi kupton se si ka vepruar fëmija i tij dhe prindi përfshihet në procesin e gjithë rehabilitimit, këshillimit që i bëhen nxënësit, ky bashkëpunim shkollë-prind ka qenë shumë frytdhënës. Ka shumë rëndësi prezenca e prindit në jetën e fëmijës, qoftë edhe në bashkëpunim me shkollën”, thotë Treska.

Në shkollat e Tiranës janë vendosur masa të forta dhe në mjediset e brendshmë është gati e pamundur të hysh. Por shqetësimet që prodhohen nga brenda godinës, si pasojë e rritjes së agresivitetit në marrëdhëniet mes të rinjve janë bërë thuajse të pamundura për t’u menaxhuar nga stafi i mësuesve. Në disa shkolla private sipërmarrësit janë të vendosur t’i kontrollojnë nxënësit, përpara se të futen në mësim, për shkak të mbajtjes së mjeteve të forta, si thika apo kacavida, të cilat përdoren gjatë konfrontimit mes tyre.

Korçë, nxënësi godet drejtuesit e një shkollë

Ditën e hënë në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Naum Veqilharxhi” në
Korçë , për shkak të detyrës një 17-vjeçar ka fyer dhe goditur drejtorin
dhe nëndrejtorin e kesaj shkolle. 

Ngjarja është regjistruar në korridoret e shkollës, teksa ishte duke u zhvilluar mësimi, kur i riu me inicialet F.G ka hyrë në një prej klasave dhe ka nisur të prishë orën e mësimit. Mësuesja e ka nxjerrë atë jashtë duke kërkuar edhe ndihmën e dy titullarëve të shkollës dhe më tej ai është konfliktuar me këta të fundit fillimisht me fjalë dhe më tej me grushta.

Fillimisht ai ka debatuar me drejtorin e shkollës Vladimir Prifti dhe ka nisur ta fyejë atë më pas në këtë konflikt është përfshirë edhe nëndrejtori Albert Damjaneci, derisa kanë arritur të goditen me njëri-tjetrin. Menjëherë dy drejtuesit e shkollës kanë kërkuar edhe ndihmën e policisë, ku kanë ngritur edhe denoncimin përkatës.

Top Channel