Pas inspektimit të dosjes penale të 20-vjeçarit Aldo Hoxha, i cili akuzohet për vrasjen e Fatbardha Tafës gjatë muajit gusht në Tiranë, në tentativë për t’i vjedhur asaj varësen, Ministria e Drejtësisë deklaroi se ka konstatuar shkelje.

Inspektimi u bë në dosjen e Gjykatës dhe Prokurorisë në Tiranë, në Gjykatën e Durrësit dhe në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale “Ali Demi”.  

I pandehuri Aldo Hoxha është hetuar në 4 procedime penale për vjedhje në bashkëpunim, të mbajtjes pa leje të armëve luftarake, të prishjes së qetësisë publike, të vjedhjes së thjeshtë, të vjedhjes me pasojë vdekjen dhe të plagosjes së rëndë me dashje.

Dy procedime penale janë përfunduar edhe nga gjykata. Më konkretisht, Gjykata e Durrësit e ka dënuar për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim me 8 muaj burgim.

Ndërsa në rastin e dytë, Gjykata e Tiranës e ka dënuar për veprat penale të mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të prishjes së qetësisë publike me 1 vit burgim.

Procedimi penal i tretë për veprën penale të vjedhjes së thjeshtë është në proces gjykimi në Gjykatën e Tiranës. Ndërsa procedimi penal i katërt për veprat penale të vjedhjes me pasojë vdekjen dhe të plagosjes së rëndë me dashje është ende në fazën e hetimit paraprak”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Sipas saj, në organin e Prokurorisë u kontrolluan 3 procedime penale, të cilat përfshijnë veprimtarinë e 4 prokurorëve dhe u verifikuan me shkelje 2 prokurorë.

Ministria e Drejtësisë i ka rekomanduar Prokurorit të Përgjithshëm fillimin e procedimit disiplinor për 2 prokurorë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, veprimtaria e të cilëve është konstatuar me shkelje të detyrës.

Ndërkohë Ministria e Drejtësisë thotë se do të nisë procedimin displinor për dy gjyqtarë të cilëve u janë konstatuar shkelje. Aktualisht i riu Hoxha është me “arrest me burg” për vrasjen e Fatbardha Tafës në fillim të muajit gusht.

Top Channel