Në pranga shefi i policisë së Korçës

20/09/2012 21:35

Shefi i policisë së komisariatit të Korçës, Nikolin Thana, u arrestua ditën e enjte pasi u kap në flagrancë duke kryer veprën penale të mitmarrjes.

Lajmi u raportua gjatë një konference për shtyp, mbremjen e së enjtes, nga zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Leonard Olli.

Së bashku me Thanën, ne kuader te hetimeve të forcave të rendit dhe njësisë qeveritare “task-force” kundër korrupsionit, në pranga u vendosën shtetasit Jetnor Hysenllari, Arben Hysenllari dhe Hysni Myrtollari, nga Voskopoja.

Në cilësinë e provës materiale, Prokuroria e Korçës sekuestroi një shumë prej 100 mijë lekësh të reja, e cila dyshohet se u pranua nga kryekomisari, në këmbim të mbylljes së një çështjeje.

Njëkohësisht, në një operacion paralel me pare gjate dites, në pranga përfundoi efektivi Fatmir Hoxha, i cili shoqëronte në momentin e vrasjes komisarin Adem Tahirajn, i rënë në krye të detyrës një javë më parë gjatë një kontrolli rutinë për armëmbajtje pa leje në Shijak.

Ndaj tij rëndojnë akuzat e mospërmbushje të detyrës dhe elementë të shpërdorimit të detyrës, të dy vepra të parashikuara nga kodi penal.

Një efektiv i dytë, Kastriot Kosturani, është shpallur gjithashtu në kërkim për shpërdorim të detyrës dhe shmangie të hetimit, gjithashtu ne lidhje me vrasjen e kryekomisarit.

Provat ndaj tyre i janë referuar për ndjekje Prokurorisë së Durrësit.

Top Channel