Dhoma e Avokatisë në Elbasan ka zhvilluar një protestë përpara Gjykatës
së Rrethit, duke bojkotuar të gjitha seancat gjyqësore, deri në një afat
të pacaktuar.

Shkak për paralizimin e funksionimit të këtij institucioni, është bërë arrestimi i avokatit Bujar Dyrmishi, i cili u arrrestua nga policia një ditë më parë, pasi goditi në zyrën e tij gjyqtarin Xheladin Karkini, gjatë një sherri banal. Kryetari i Dhomës së Avokatëve të Elbasanit Jani Vaso u shpreh se ndalimi i Dyrmishit është antiligjor, Vaso akuzon policinë për ushtrim dhune fizike ndaj kolegut të tyre.

Nën një zë avokatët e Elbasanit kërkojnë marrjen e masave nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë ndaj gjyqtarit Xheladin Karkini, sepse në mënyrë të përsëritur ky i fundit përplaset me ata , duke penguar punën sidomos në zgjatjen e proceseve gjyqësore.

Nëse ndaj gjyqatarit Karkini nuk merret asnjë masë, atëherë seancat Gjyqësore do të pezullohen, qofshin ato edhe masa arresti. Bujar Dyrmishi, ish Kryetari i Gjykatës së Librazhdit është arrestuar pasditen e së mërkurës, pasi dyshohet të ketë goditur në zyrë Xheladin Karkinin, në momentin që ky i fundit ka tentuar ta nxjerrë jashte zyrës me forcë.

Top Channel