Viktimat e aksidenteve, bilanc lufte

18/09/2012 18:45

Më shumë se 139 persona janë përfshirë në rreth 75 aksidente rrugore të ndodhura në vendin tonë prej muajit qershor. Pasojat fatale kanë qenë për 51 persona që kanë humbur jetën, mes tyre edhe pesë fëmijë.

Ndërkohë, nga aksidentet janë plagosur rreth 88 persona, ndër ta 15 gra dhe 7 fëmijë.  Ngjarjet tragjike kanë ndodhur pothuajse në të gjithë vendin, por rrethet me numrin më të madh të aksidenteve janë Tirana, Elbasani, Fieri, Fushë-Kruja dhe Lezha.

Në ditët e para të sezonit turistik u përgjak “Rruga e Kombit”. Viktimat ishin kryesisht emigrantë kosovarë që vinin për të kaluar pushimet në Shqipëri. Me 10 pjesëtar për patrullim Policia e Kosovës dukej e dorëzuar përballë aksidenteve të shtetasve të saj në rrugën Durrës-Kukës. Marrëveshja e patrullimit të përbashkët me policinë shqiptare nuk i lejon Policisë së Kosovës të vendosë rregulla shtesë përveç patrullimit të zakonshëm përgjatë autostradës. Në këto kushte aksioni i palës kosovarë ishte i paefektshëm në vendin tonë.

Përveç të ashtuquajturës “rruga e vdekjes”, ajo Fushë-Krujë-Milot, këtë vit aksidentet zgjeruan hartën. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 29% e vdekjeve dhe 32% e plagosjeve në vend zyrtarisht ndodhin nga shpejtësia dhe sjellja agresive e shoferëve. Por aksidentet fatale kanë treguar se është domosdoshmëri ndërhyrja në përmirësimin e kushteve dhe sinjalistikës rrugore.

Statistikat tregojnë se 38.5% e vdekjeve në dy vitet e fundit kanë ardhur nga drejtuesit e rinj pa eksperiencë. Një faktor tjetër i shtimit të aksidenteve gjatë verës është edhe rritja e numrit të makinave që lëvizin në rrugë si pasojë e ardhjes së emigrantëve, çka rrit mundësitë e mosrespektimit të rregullave.

Të dhënat tregojnë se 40% e aksidenteve me vdekje apo me lëndime të mëdha mund të evitoheshin nëse pasagjerët do të kishin rripin e sigurimit të vënë.

Këto statistika, që përfaqësojnë një bilanc lufte, e bëjnë Shqipërinë disa herë më të pasigurtë se vendet më të zhvilluara europiane.

Top Channel